Këngëtarja shqiptaro-amerikane Enisa Nikaj ka nxitur një debat të gjerë në rrjetet sociale pas një deklarate personale që bëri në ditëlindjen e saj të 30-të. Në një video të publikuar në platformën TikTok, artistja tregoi se është ende e virgjër dhe se gjatë këtyre viteve ka qenë beqare, një pohim që u komentua gjerësisht nga ndjekësit.
Deklarata u përhap shpejt në rrjete, duke sjellë reagime të ndryshme. Një pjesë e përdoruesve e vlerësuan sinqeritetin e këngëtares dhe e panë si një shembull të një gruaje që zgjedh të jetojë sipas ritmit të saj. Të tjerë, megjithatë, e konsideruan të pazakontë një situatë të tillë në këtë moshë.
Artistja ka lindur në Brooklyn të New York City nga prindër shqiptarë me origjinë nga Tuzi dhe është rritur në një familje emigrantësh që u vendosën në Shtetet e Bashkuara. Ajo u bë fillimisht e njohur përmes rrjeteve sociale dhe më pas ndërtoi një audiencë ndërkombëtare në industrinë e muzikës.
Sipas specialistëve të psikologjisë, fakti që dikush nuk ka pasur ende përvoja seksuale në moshë më të rritur nuk përbën domosdoshmërisht një problem. Ata theksojnë se kjo mund të jetë rezultat i zgjedhjeve personale, fokusit në karrierë, bindjeve personale apo thjesht ritmit individual të jetës.
Megjithatë, presioni shoqëror dhe pritshmëritë kulturore shpesh krijojnë idenë se ekziston një “kohë e duhur” për marrëdhëniet romantike. Pikërisht kjo është arsyeja pse deklarata të tilla shpesh ndezin diskutime të forta në rrjet.
Reagimet ndaj videos së Enisës tregojnë se opinioni publik mbetet i ndarë: disa e shohin si një mënyrë për të sfiduar stereotipet, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një situatë të pazakontë për moshën. Në çdo rast, deklarata e saj ka rikthyer në vëmendje debatin mbi pritshmëritë shoqërore dhe zgjedhjet personale në jetën private/kb

