Një prej figurave më të fuqishme të industrisë së teknologjisë, Jensen Huang, duket se ka përjetuar ditët më të vështira të karrierës së tij. Sipas një investigimi të Bloomberg, themeluesi i Nvidia-s është larguar nga drejtimi i kompanisë pas një serie zbulimesh për jetën e tij private, të cilat tronditën edhe pozicionin e tij profesional.
Për 33 vite, Huang ishte figura kryesore që e shndërroi Nvidia-n në një prej kompanive më të fuqishme në botë, veçanërisht falë rolit të saj në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Megjithatë, ditët e fundit në kompani kanë qenë krejtësisht të ndryshme për të. Njerëz pranë tij, të cituar nga Bloomberg, tregojnë se ai ishte emocionalisht i rrënuar dhe përdorte shprehje të ashpra për veten, duke thënë: “Jam një copë m*t, nuk më intereson më”.
Kriza nisi pas publikimit të informacioneve për marrëdhënien e tij me Alice Huang, një grua e dyshuar për spiunazh në favor të Kinës. Fillimisht, Jensen mohoi se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes, por situata ndryshoi më 6 nëntor, kur një artikull i Financial Times raportoi se marrëdhënia mes tyre kishte qenë romantike.
Pak më vonë, drejtuesi ligjor i Nvidia-s, Tim Teter, e përballi me këto informacione në banesën e tij, ku Huang pranoi tradhtinë. Të dielën, ai u dërgoi një email punonjësve të kompanisë, ku pranoi lidhjen jashtëmartesore, kërkoi falje ndaj familjes dhe u zotua të bashkëpunonte me hetimin e bordit drejtues.
Por zbulimet nuk përfunduan aty. The New York Times raportoi më pas se Huang kishte pasur edhe një tjetër marrëdhënie jashtëmartesore, këtë herë me Kimberly Powell, zëvendëspresidente e Nvidia-s për sektorin e shëndetësisë. Ky zhvillim përshpejtoi reagimin e bordit, i cili zhvilloi një mbledhje maratonë dhe vendosi largimin e tij nga drejtimi i kompanisë.
Në vend të tij, drejtimin e përkohshëm do ta marrë drejtoresha financiare Colette Kress, ndërsa bordi ka nisur të shqyrtojë emrat e mundshëm për pasuesin e Huang. Mes figurave që mund të merren në konsideratë përmenden Lisa Su, drejtuesja ekzekutive e AMD-së, dhe Rene Haas, drejtuesi i Arm Holdings.
Largimi i Huang shënon fundin e një epoke për Nvidia-n, kompaninë që ai bashkëthemeloi dhe drejtoi për më shumë se tri dekada. Tashmë, sfida më e madhe për bordin është të gjejë një pasues që mund të marrë përsipër jo vetëm drejtimin e biznesit, por edhe rolin e tij si fytyra publike e gjigantit të teknologjisë./mxh
