Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i këngëtarit Jozefin Marku, pas publikimit të videos ku ai shfaqet duke ushtruar dhunë, së bashku me disa persona të tjerë, ndaj Edi Kuçit. Sipas informacioneve të gazetares Dorjana Bezat, fillimisht policia ka ushtruar kontrolle në banesën e Jozefin Markut në Fushë-Kuqe, por nuk ka mundur ta gjejë atë.
Më pas, uniformat blu kanë kontrolluar rreth 10 banesa të miqve të këngëtarit, derisa kanë mundur ta lokalizojnë atë në banesën e shokut të tij, Kristian Nikollit, në Fushë-Krujë. Sipas raportimeve, këngëtari është gjetur i fshehur në tualetin e banesës. Pasi ai është arrestuar nga policia është shprehur se nuk po i fshihej uniformave blu.
“Jam për qejf këtu, nuk po i fshihem policisë. Do të vija vetë në polici nëse e dija që po më kërkonit”, është shprehur këngëtari.
Jozefin Marku, 30 vjeç, akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Veç Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u shpallën në kërkim shtetasit Anton Huli, 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Sipas Policisë së Shtetit, këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin Eduart Kuçi, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre në rrjetet sociale./k.m
