Ecja në malet e mia kur isha studente. Ishte një zbulim që më ka ndihmuar shpesh të përballoj betejat e mia personale.
Ana Schnabl
Jetoj në veri të Sllovenisë, në qytetin mesjetar të Kamnikut. Qyteti i jep emrin njërit prej tri vargmaleve alpine që shtrihen në territorin slloven: Alpeve Kamnik-Savinja. Ato mund të mos kenë majat më të larta të vendit, por janë gjithsesi madhështore.
Gjatë gjithë jetës sime, kam pasur përballë një nga tiparet më dalluese të tyre, Shalën e Kamnikut, qoftë nga fshati ku jam rritur, qoftë nga Lubjana, ku kam jetuar për nja dy vjet. Kjo shalë u bë sfondi i historisë së jetës sime.
Megjithëse Alpet i kisha gjithmonë pranë dhe jetoja në një qytet të njohur për alpinistët e tij, për një kohë të gjatë i shpërfilla. Edhe pse i kisha mu para syve, vetëm kohët e fundit ato janë bërë thelbësore për ekzistencën time. Tani asnjë verë nuk është e plotë pa ecje të gjata e të mundimshme në brendësinë e tyre madhështore.
Kur isha fëmijë, vëmendja ime drejtohej nga jugu, drejt bregdetit të Adriatikut, sepse aty e kishte mendjen familja ime: prindërit, gjyshërit, hallat dhe xhaxhallarët. Ata parapëlqenin ujin ndaj shkëmbinjve, ngrohtësinë e detit ndaj erës alpine dhe zhurmën e cikadave ndaj thirrjeve të zogjve grabitqarë. Për ta, e për rrjedhojë edhe për mua, deti nënkuptonte një pushim të lodhshëm nga vapa, ndërsa malet një sforcim fizik po aq të lodhshëm.
Natyrisht, mospëlqimi i lehtë i familjes sime për ecjet dhe ngjitjet malore buronte nga një fakt i thjeshtë: puna e përditshme e të gjithëve ishte tashmë e lodhshme, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Kush, duke qenë në vete, do të dëshironte të sforcohej edhe më shumë, duke ngjitur për katër orë një shpat të pjerrët, me të paktën gjashtë kilogramë në shpinë, nën një vapë përvëluese, mes erës e ndonjëherë edhe shiut?
Askush! Familja ime ishte aq e përkushtuar ndaj idesë së pushimit dhe çlodhjes, saqë gjente gjithmonë mënyra për të justifikuar koston e lartë të pushimeve të ëndërruara në Adriatik: shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit, si edhe faktin që shumicën e vakteve i hanim jashtë. Si fëmijë dhe adoleshente, natyrisht, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse t’i shoqëroja, për të pushuar e për t’u çlodhur, siç bënin edhe ata.
Ironikisht, ajo që më shtyu më në fund të ngjitesha në malin tim të parë ishte kriza ime e parë financiare, e cila nisi në vitin 2006 dhe u pasua nga kriza financiare globale e viteve 2007–2008. Isha një studente e varfër e shkencave humane, në një kohë kur edhe këto disiplina trajtoheshin si të parëndësishme, por përsëri përpiqesha t’i jepja një kuptim verës sime. Doja të shkoja diku të bukur, të përjetoja diçka që të mos më dëshpëronte edhe më shumë.
Falë zbritjeve bujare për studentët, mund të kisha zgjedhur të vizitoja galeri e muze të artit modern dhe bashkëkohor, të shkoja në kinema, të kërceja në klube apo të ndiqja koncerte. Por të gjitha këto mundësi më dukeshin të mbyllura. Edhe sikur të bëhej fjalë për veprimtari në ajër të hapur, nuk më interesonin. Për mua, një vend i bukur duhej të ishte një hapësirë larg veprimtarisë së drejtpërdrejtë njerëzore, prodhimit dhe konsumit. Një vend i bukur nënkuptonte natyrën.
Kështu, ecja në vargmalin që ndodhej, për ironi, fare pranë vendit ku jetoja, m’u duk ideja më e mirë. Jo vetëm që hyrja ishte falas, por edhe organizimi i një ekskursioni të tillë kushtonte pak: më duheshin vetëm ujë i mjaftueshëm, një ose dy sanduiçe dhe pak çokollatë. Sigurisht, më duhej edhe njëfarë qëndrueshmërie fizike, të cilën e kisha fituar nga vrapimi, si dhe pajisjet e duhura për ecje malore: helmetë, çizme dhe çantë shpine. Këto të fundit i mora hua, pasi nuk doja të përfundoja duke kërkuar ndihmën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Për fat, arrita të ngjitesha deri në majën e Branës, në lartësinë 2253 metra, pa ndonjë incident. Ndonëse, ulur nën diellin përvëlues, mund të dukesha e rraskapitur dhe paksa e tronditur, në të vërtetë po përjetoja diçka që nuk e kisha ndier prej kohësh. E shihni, lodhja dhe tronditja ishin pjesë e përditshmërisë sime, por lumturia — ah, lumturia nuk ishte.
Nuk ishte vetëm lartësia ajo që më kishte sjellë në atë gjendje euforie. Ishte edhe privilegji që të përballesha me një bukuri kaq të pamasë, që më kishte mahnitur gjatë gjithë rrugës. E gjelbra më e freskët, e ndërthurur me të bardhën më të bardhë. Madhështia e mureve shkëmbore të rrahura nga era, faqet gri në të bardhë të majave të largëta dhe tufat e dendura të shkurreve që rriteshin mes gurëve. Hapat e lehtë të dhive të egra malore, lëvizjet e kujdesshme të gjarpërinjve dhe heshtja — oh, zëri i heshtjes! E rritur si një krijesë e bregdetit të Adriatikut, nuk e kisha imagjinuar se bota mund të ishte kaq e gjallë e, njëkohësisht, kaq paqësore.
Që nga ajo ecje e parë, kam bërë shumë të tjera: disa në Alpet Kamnik-Savinja, disa në Alpet Juliane dhe në Karavanke; disa gjatë verës e të tjera në stinë të ndryshme. Për ironi, ecja ime e fundit verore këtë vit ishte sërish në Branë, me një ndryshim të vogël, por domethënës: u nisëm për t’u ngjitur natën.
Donim të arrinim në pjesën e pjerrët të malit në agim, një dëshirë e zakonshme mes alpinistëve: t’i shohin malet në dritën më të butë të mundshme, atë dritë që ua zbut pamjen. Ecja natën mund të jetë e frikshme, sidomos kur në zonë ka kafshë të egra, por mendoj se ishim aq të përqendruar te hapat tanë, saqë nuk patëm kohë të ndienim frikë. Kur erdhi çasti të përshëndetnim alpinistët e tjerë, u dhuruam buzëqeshje miqësore dhe madje ndihmuam një vajzë, qeni i së cilës dukej paksa i pasigurt teksa ecte nëpër shkëmbinj.
Vitet e fundit kam vënë re se dëshira ime për ecje malore vjen me periudha të vrullshme. Ka çaste kur më pushton një nevojë e fortë për të ecur ose për t’u ngjitur në mal; përndryshe, kam ndjesinë se do të çmendem. Kam nevojë të ekspozohem ndaj asaj bukurie të pamasë e magjepsëse, nëse dua të përballoj si betejat personale, si papunësia, ashtu edhe ato kolektive, si përhapja e diskursit dhe e politikës fashiste. Kam nevojë ta bëj këtë që të mbetem një qenie njerëzore e aftë të kujdeset me vëmendje si për veten, ashtu edhe për të tjerët.
E shihni, për mua bukuria e Alpeve është më e madhe se bukuria e një romani, e një albumi xhazi, e një filmi apo e një pikture. Shumë prej nesh ndoshta janë mësuar t’i shpërfillin të metat, madje edhe mizorinë e artistëve, për të shijuar artin e tyre. Por bukuria e maleve nuk kërkon kompromise të tilla të lodhshme. Është një bukuri e thjeshtë, që mund të përjetohet drejtpërdrejt përmes syve, lëkurës dhe zemrës.
Pikërisht takimi me këtë thjeshtësi krijon një ndjenjë të thellë qetësie, e cila më sjell lehtësim. Disa mund ta quajnë këtë lehtësim një formë meditimi, të tjerë një formë lirie, e të tjerë, thjesht një mënyrë të këndshme për të kaluar kohën. Sido që ta quajmë, këto takime do të mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme për mua. Ju këshilloj t’i kërkoni edhe vetë, nëse keni mundësi, dhe të vëreni se si ju bëjnë të ndiheni. Vetëm mbani mend: ecja në male mund të jetë falas, por malet do t’ju kërkojnë gjithmonë të paktën pak përulësi.
Teksa afrohet vjeshta, peizazhi e humbet gjelbërimin dhe ngjyrat e tij marrin nuanca të zbehta. Së shpejti, malet do të mbulohen nga bora. Përveç përulësisë, do të na duhen edhe kramponët dhe sëpatat e akullit. Ju premtoj se do ta përdor sëpatën time të akullit në heshtje, që të mos shqetësoj drerët.
Ana Schnabl është romanciere, redaktore dhe kritike sllovene.
