Deputeti demokrat, Luçiano Boçi deklaroi se Partia Demokratike është kundër idesë për reduktimin e numrit të bashkive në vend. Ai akuzoi qeverinë se bashkitë janë shndërruar në “magazina votash” me administrata të fryra, ndërsa shërbimet ndaj qytetarëve kanë rënë ndjeshëm.
Boçi theksoi se reforma e vitit 2014 ka dështuar dhe sot qytetarët nuk kanë akses të mjaftueshëm në pushtetin vendor, ndërsa shpenzimet kapitale janë më të larta se investimet reale. Ai paralajmëroi se çdo plan për zvogëlim të bashkive, nëse nuk reflekton nevojat e qytetarëve, nuk do të pranohet nga opozita.
Deputeti i PD-së nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së një strukture të qeverisjes vendore që siguron afërsi me qytetarin dhe llogaridhënie reale, duke kritikuar planet që sipas tij, synojnë vetëm përfitime politike./mxh
