Last Updated on 05/11/2026 by Klara
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka pranuar se lufta kundër Iranit ishte një nga arsyet kryesore të humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata Trump përballet me kritika të forta për konfliktin dhe pasojat e tij politike.
Në një reagim të gjatë të publikuar në platformën X, Vance deklaroi se arsyeja e humbjes së republikanëve ishte e qartë për të gjithë dhe se ajo lidhej drejtpërdrejt me luftën kundër Iranit.
“Arsyeja e vërtetë pse humbëm është e qartë për pothuajse të gjithë. Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shkroi Vance.
Ai theksoi se mbështetësit e konfliktit duhet të pranojnë edhe koston politike të tij, duke përmendur humbjen e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme si një çmim që duhet të justifikohet.
Deklarata e zëvendëspresidentit shihet edhe si një përpjekje për t’u distancuar nga konflikti, i cili nisi në shkurt me urdhër të presidentit Donald Trump, në bashkëpunim me Izraelin. Vance raportohet se kishte shprehur më herët skepticizëm për ndërhyrjen ushtarake.
Edhe presidenti Trump kishte pranuar një ditë më parë se lufta me Iranin ndikoi në rezultatin zgjedhor. Në një intervistë për The Wall Street Journal, ai tha se Irani ishte një nga faktorët që ndikuan në humbjen e republikanëve.
Megjithatë, Trump këmbënguli se nuk ishte penduar për vendimin për të nisur luftën.
“Nuk mendoj për këtë. Bëra gjënë e duhur. Do ta kisha bërë përsëri”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklaratat e Vance kanë shtuar pikëpyetjet mbi të ardhmen politike të Partisë Republikane dhe marrëdhënien e tij me Trumpin, veçanërisht në prag të diskutimeve për një kandidim të mundshëm të zëvendëspresidentit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028./k.m
