Last Updated on 16/06/2026 by Monika
Shqipëria ndodhet tashmë një hap më pranë familjes evropiane. Gjatë prezantimit të raportit përparimtar për Shqipërinë, raporteri për vendin në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e bërë në rrugën drejt integrimit, duke theksuar se mbështetja e gjerë e qytetarëve dhe uniteti politik kanë qenë çelësi i suksesit.
Sipas tij, hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave brenda vetëm 13 muajve dëshmon një angazhim të jashtëzakonshëm nga Shqipëria. Schieder e konsideroi realist objektivin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke nënvizuar se ky synim nuk duhet parë si një ëndërr, por si një perspektivë konkrete.
Megjithatë, ai theksoi se procesi i integrimit nuk duhet të mbetet vetëm teknik apo burokratik, i kufizuar në miratimin e ligjeve, por duhet të fokusohet te zbatimi i tyre në praktikë, forcimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i drejtësisë sociale.
Një vëmendje të veçantë Schieder i kushtoi edhe zhvillimit ekonomik, duke bërë thirrje për një orientim drejt turizmit të qëndrueshëm. Sipas tij, kjo është rruga e vetme që mund të sjellë vende pune dhe rritje ekonomike pa dëmtuar mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit.
Raporti në Parlamentin Evropian thekson se procesi i zgjerimit do të konsiderohet i suksesshëm vetëm nëse reformat sjellin përmirësime konkrete dhe të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë./mxh
