Shumë përdorues kanë raportuar sot se kanë pasur probleme me telefonanat përmes rrjetit celular gjatë ditës së sotme në jug të vendit, kryesisht në zonën nga Dhërmiu në Sarandë. Problematika është hasur për përdoruesit e rrjetit Vodafone.
Burime zyrtare nga Vodafone thanë se problematika është e lidhur me dëmtimet që janë bërë në rrjetin transmetues nga punimet në rrugë.
“Vodafone Albania njofton se më 24 gusht 2026, duke filluar nga ora 14:08, janë evidentuar ndërprerje të përkohshme të shërbimeve celulare dhe fikse në disa zona përgjatë bregdetit, nga Dhërmiu deri në Sarandë.
Sipas informacionit paraprak që disponojmë, ndërprerja është shkaktuar nga punime civile në rrugë, në linjën primare dhe atë backup të fibrës optike në segmentet Cukë–Gjirokastër dhe Radhimë–Orikum, që ofrohet nga ATU.
Ekipet teknike janë angazhuar menjëherë dhe po punojnë me prioritet maksimal bashkë me ofruesin përkatës të shërbimit dark fiber në rrugët kombëtare për rikthimin e plotë të shërbimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon njoftimi i Vodafone.
Operatori tjetër celular, One Albania, pohoi për “Monitor” se ata nuk kanë pasur ndërprerje të shërbimit./ad
