Presidenti rus Vladimir Putin po synon hapur civilët dhe po intensifikon sulmet hibride në të gjithë Evropën, tha sot Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
Ajo paralajmëroi se përshkallëzimi i sulmeve ruse në Detin e Zi kërcënon jetët njerëzore, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale ushqimore.
“Rusia nuk po fiton në fushën e betejës në Ukrainë. Në vend të kësaj, Putini po synon hapur civilët dhe po rrit sulmet hibride në pjesën tjetër të Evropës”, tha Callas në një fjalim para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Kalas theksoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit më të mirë të të dhënave të inteligjencës, forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe koordinimit me NATO-n në rast të incidenteve serioze të sigurisë.
Ajo shtoi se BE-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Turqinë dhe Indinë, po punon për të krijuar një marrëveshje për lirinë e lundrimit në Detin e Zi.
“Ukraina propozoi një marrëveshje të tillë, ndërsa Rusia e refuzoi atë… Angazhimi diplomatik duhet të shkojë krah për krah me presionin e vazhdueshëm ndaj Moskës dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha Kalas.
Ajo vuri në dukje se avionët luftarakë rumunë F-16 qëlluan dy dronë mbi ujërat territoriale rumune të shtunën, duke deklaruar se gjashtë sulme të dyshuara me dronë rusë në një periudhë dhjetë-ditore përfaqësonin një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm.
“Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar për shtatë marinarë të zhdukur pas një sulmi me dron ndaj dy anijeve cisternë pranë bregdetit rumun të Detit të Zi”, tha Kallas.
Sipas saj, që nga mesi i korrikut, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj rrugëve të eksportit të Ukrainës, prandaj Ukraina po humbet rreth 60 milionë euro në ditë nga eksportet.
Kalas kujtoi se Ukraina merr pjesë me rreth 15 për qind në eksportin botëror të misrit, 10 për qind në eksportin e grurit, 15 deri në 20 për qind në eksportin e elbit dhe rreth 50 për qind në eksportin e vajit të lulediellit, ndërsa rreth 90 për qind e këtyre produkteve transportohen nëpërmjet Detit të Zi.
Ajo paralajmëroi se sulmet ruse ndaj infrastrukturës bujqësore, porteve, anijeve, kalimeve kufitare dhe depove të grurit të Ukrainës kërcënojnë furnizimet me ushqim, veçanërisht në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme.
“Veprimet e Rusisë ua vështirësojnë njerëzve në mbarë botën sigurimin e ushqimit në tryezat e tyre ”, tha kreu i diplomacisë evropiane.
Kallas deklaroi se çmimet globale të drithërave kanë arritur nivelin e tyre më të lartë që nga shkurti i vitit 2023 dhe bëri thirrje për krijimin urgjent të një kalimi të sigurt për anijet civile dhe tregtare në Detin e Zi.
Ajo paraqiti tre linja veprimi të BE-së: ruajtjen e aksesit të Ukrainës në tregjet ndërkombëtare, forcimin e sigurisë detare në Detin e Zi dhe Danub dhe rritjen e presionit diplomatik mbi Moskën.
Sipas saj, eksporti i grurit nëpërmjet rrugëve alternative në kuadër të iniciativës së BE-së “Korridoret e Solidaritetit” është rritur me gati dy milionë ton që nga korriku, por këto rrugë janë gjithashtu të kërcënuara për shkak të sulmeve në pikat kufitare me Moldavinë, Rumaninë dhe Poloninë./ad
