Simon Hattenstone*
Prej vitesh i kam shkruar Jeremy Bamber-it, por papritur burgu më ka ndaluar ta bëj këtë. Pse?
Disa javë më parë i dërgova një email të gjatë Jeremy Bamber-it, i cili ka pothuajse 41 vjet në burg pasi u dënua për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes së tij. Bamber ka pohuar gjithmonë se është i pafajshëm, dhe unë, së bashku me kolegun e ndjerë të gazetës The Guardian, Eric Allison, kemi shkruar shpesh për të dhe për vrasjet e “White House Farm” gjatë viteve.
Në email i bëra pyetje mbi çështjen e tij, siç kam bërë shpesh, bisedova për një ndeshje futbolli ku kisha shkuar me vajzën time më të vogël gjatë fundjavës, përmenda një drekë me një ekspert të mjekësisë ligjore dhe i thashë se përballë shtëpisë sime kishte një pemë qershie që kishte çelur plotësisht. Madje i dërgova edhe një foto të saj.
Më vonë mësova nga ekipi i tij i fushatës se Bamber nuk e kishte marrë letrën, sepse burgu HMP Wakefield i kishte ndaluar marrjen e postës dhe email-eve nga gazetarët. Megjithatë, fotografia e pemës së qershisë iu ishte treguar dhe, sipas tyre, ai e kishte vlerësuar. Por ekipi i tij tha se ai nuk lejohej të përgjigjej as për foton, sepse i ishte ndaluar çdo formë korrespondence me mediat.
Sipas grupit të fushatës, ai tani është i ndaluar plotësisht të komunikojë me gazetarët.
Bamber ka shkruar për vite me radhë për gazetarët që prej burgosjes së tij në vitin 1985. Pikërisht përmes këtyre komunikimeve janë zbuluar shumë mospërputhje, gabime dhe mangësi në hetimin fillestar, të cilat i bëjnë shumë njerëz të mendojnë se dënimi i tij është, të paktën, i pasigurt. Po ashtu është mësuar se disa prova kyçe janë shkatërruar me kalimin e viteve. Pra, pse HMP Wakefield po e ndalon tani?
Është e vështirë të besohet se kjo nuk lidhet me mbulimin mediatik të çështjes së tij në vitet e fundit. Shumë gazeta kanë analizuar prova specifike dhe kanë arritur në përfundimin se ai mund të jetë viktimë e një padrejtësie gjyqësore. Në shkurt, The Guardian publikoi një artikull ku profesori Xhejson Pejn-Xhajms, specialist i mjekësisë ligjore, tha se besonte se në vrasjen e motrës së Bamber-it nuk ishte përdorur silenciator.
Silenciatori ishte një element kyç në gjyqin e tij. Jurisë iu paraqitën dy versione: ose Bamber kishte vrarë pesë anëtarët e familjes për të trashëguar pasurinë e prindërve, ose kishte ndodhur një vrasje-suicid nga motra e tij, Sheilë Kefell, e cila kishte vrarë prindërit dhe dy djemtë e saj binjakë para se të vriste veten. Kefell kishte qenë së fundmi e shtruar në spital me skizofreni dhe kishte frikë se fëmijët mund t’i merreshin nga familja e saj.
Kur ngjarja u raportua fillimisht në media, ajo u paraqit si vrasje-suicid. Gjykatësi Maurice Drake, që kryesoi gjyqin në vitin 1986, i tha jurisë se nëse besonin se ishte përdorur silenciator, atëherë Bamber ishte vrasësi, pasi krahët e Kefell nuk ishin mjaftueshëm të gjatë për të qëlluar veten në fyt me silenciator të montuar.
Vitin e kaluar, revista The New Yorker publikoi një seri podkastesh me gjashtë episode, “Të afërm gjaku”, që vinin në dyshim fajësinë e Bamber-it. Seria përfshinte intervista të gjera me të.
Këtë muaj, gazeta The Sun botoi një intervistë me Majkëll O’Brajen, një nga tre burrat e dënuar gabimisht për vrasjen e vitit 1987 të gazetarit nga Kardifi, Filip Sanders, i cili kishte kaluar kohë në burg me Bamber dhe është i bindur për pafajësinë e tij. O’Brajen është bërë një figurë kyçe në mbrojtjen e të drejtës së të burgosurve për të komunikuar me mediat.
Në vitet e fundit janë rrëzuar disa dënime të profilit të lartë nga Gjykata e Apelit. Në vitin 2023, Endrju Malkinson u shpall i pafajshëm pasi kishte kaluar 17 vjet në burg për një përdhunim që nuk e kishte kryer. Në vitin 2025, Peter Salivan iu shfuqizua dënimi për vrasje pas 38 vjetësh burg, që besohet të jetë burgosja më e gjatë e gabuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Jo çuditërisht, këto raste kanë bërë që gazetarët të fokusohen në mundësinë e padrejtësive të tjera gjyqësore. Dy rastet më të përfolura janë ai i Bamber-it dhe ai i Lusi Letbit, e cila u dënua për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për vrasjen e shtatë të tjerëve. Nëse ndonjë nga këto dënime do të rrëzohej, kjo do të vinte në pikëpyetje serioze sistemin e drejtësisë britanike.
E drejta e të burgosurve që pretendojnë pafajësi për të komunikuar me mediat u vendos në Mbretërinë e Bashkuar përmes një vendimi gjyqësor në vitin 1999, në çështjen ku In Simms dhe Majkëll O’Brajen argumentuan kundër ndalimit të përgjithshëm të kontakteve me gazetarët.
Një ndalim i vendosur më herët nga ministrat e brendshëm konservatorë dhe laburistë u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Apelit. Në vendimin historik, gjyqtari Lord Stain theksoi se shumë padrejtësi gjyqësore ishin zbuluar vetëm falë punës së gazetarëve investigativë.
Pa dhënë një shpjegim të qartë për rastin e Bamber-it, Shërbimi i Burgjeve tha se nuk vendos ndalime të përgjithshme dhe përmendi nevojën për të mbrojtur viktimat dhe për të ruajtur besimin në sistemin e drejtësisë. Por vendimi i mëparshëm gjyqësor kërkon që çdo kufizim i tillë të jetë i justifikuar individualisht.
Pa një justifikim të tillë, ky rast ngre shqetësime serioze për lirinë e shprehjes dhe aksesin në drejtësi. Është e dhimbshme që kjo po ndodh sërish nën një qeveri laburiste.
Edhe pse fati i Bamber-it mbetet i pasigurt, shenjat e shqetësimit janë të shumta për t’u injoruar. Dhe nëse ky ndalim vazhdon, ai rrezikon të kujtohet jo si mbrojtje e drejtësisë, por si kufizim i saj.
Simon Hattenstone është gazetar i reportazheve në The Guardian.
