Kanadaja ka aplikuar zyrtarisht për t’iu bashkuar Joint Expeditionary Force (JEF), një forcë shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, që synon të forcojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të mundësojë reagim të shpejtë ndaj krizave të sigurisë, shkruan areadifesa.it.
Njoftimi u bë më 16 shtator nga zyra e kryeministrit kanadez Mark Carney, pas takimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar me kryeministrin britanik Andy Burnham. Londra ka mirëpritur aplikimin e Kanadasë dhe ka shprehur mbështetje për pjesëmarrjen e saj.
JEF aktualisht përbëhet nga 10 vende të NATO-s: Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Niderlanda, Norvegjia dhe Suedia.
Forca synon të rrisë aftësinë e vendeve anëtare për të reaguar shpejt ndaj krizave dhe kërcënimeve, veçanërisht në Arktik, Atlantikun e Veriut dhe rajonin e Detit Baltik.
JEF mund të veprojë në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me NATO-n, duke plotësuar përpjekjet e Aleancës.
Gjatë takimit, Carney dhe Burnham diskutuan gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe industrial në fushën e mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin për zhvillimin dhe përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale./mxh
