Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz është shprehur se Evropa duhet të bëhet më e pavarur nga aleati i saj i vjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur në selinë e Deutsche Boerse Group, e cila operon Bursën e Frankfurtit, Merz u shpreh se siguritë e vjetra nuk vlejnë më.
“Ne duhet të bëhemi më sovranë dhe të pavarur, veçanërisht në aspektin e teknologjisë”, thotë Merz.
Kancelari gjerman tha se Evropa duhet të përshtatet me një pjesë të re të realitetit me të cilin bota po përballet.
“Marrëdhëniet transatlantike kanë ndryshuar. Askush në këtë sallë nuk e thotë këtë me më shumë keqardhje sesa unë, por nostalgjia dhe kujtimet e kohërave të mira të kaluara nuk ndihmojnë”, u shpreh ai.
Kërcënimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se vendi i tij mund të aneksojë Groenlandën, një territor autonom i aleatit evropian të NATO-s, Danimarkës, kanë tronditur së fundmi udhëheqësit evropianë.
Presidenti francez Emmanuel Macron i cilësoi deklaratat e Trump si një thirrje zgjimi strategjik për të gjithë Evropën dhe komisioneri i energjisë i BE-së, Dan Jorgensen, paralajmëroi se blloku rrezikonte të bëhej i varur nga importet e gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së./mxh
