Ekonomisti dhe aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn, i cili ka shpallur synimin për të kandiduar për president të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028, ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, të xhiruar në një muze në Vjenë, Fehlinger-Jahn shprehet se, nëse zgjidhet president, do të angazhohet për rikthimin në Krujë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, të ruajtura në Austri.
“Si President i Austrisë, zotohem të rikthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar Mbretin Skënderbe”, shkruan ai në postimin e publikuar më 2 tetor.
Fehlinger-Jahn, kryetar i Austrian Committee for NATO Enlargement, njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm në favor të zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ai ka jetuar dhe punuar për disa vite edhe në Shqipëri dhe ka mbajtur qëndrime të shpeshta publike për vendin.
Përkrenarja dhe shpata që i atribuohen Skënderbeut ruhen në Weltmuseum Wien. Në vitin 2012, këto objekte u sollën përkohësisht në Shqipëri në kuadër të një ekspozimi në Muzeun Historik Kombëtar.
Fehlinger-Jahn ka shpallur gjithashtu më herët ide për forcimin e lidhjeve historike austro-shqiptare dhe për ngritjen e një monumenti të Skënderbeut në Vjenë./mxh
