Last Updated on 21/02/2026 by Anisa
Senada Mehmeti, kandidate e Partia Demokratike, ka rrëfyer mbrëmjen e së shtunës në emisionin Review me Greta Topjana detaje nga incidenti i ndodhur gjatë protestës së opozitës një ditë më parë.
Sipas pretendimeve të liderit të PD-së, Sali Berisha, si dhe deklaratave të vetë Mehmetit për mediat, ajo është goditur në kokë me plumb gome gjatë zhvillimit të protestës.
Duke folur në studio, Mehmeti u shpreh se ndodhej në rreshtin e parë teksa po dëgjonte fjalimin e Berishës, kur u godit papritur.
“Isha në shok në ato momente. Kam qenë në rreshtin e parë kur po dëgjoja fjalimin e Berishës. Isha duke ndihmuar dikë që kisha afër dhe në atë moment më erdhi një goditje nga ana e Kryeministrisë dhe nga qëndrimi im dallova edhe drejtimin e goditjes. Kam qenë në rresht të parë. Jam kundër dhunës, edhe nga posti im si pedagoge jam kundër dhunës dhe nuk kam përdorur as vetë ndonjë element dhune. Kur më erdhi goditja ishte pyetja ‘Pse?’”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pas goditjes ka qenë në gjendje shoku dhe ka kërkuar të largohet menjëherë nga zona e protestës.
“U frikësova dhe u largova me shumë shpejtësi. Pasi kalova pjesën rrethuese të protestës, kisha të tjerë nga strukturat e Shkodrës dhe nuk bëra rolin e viktimës. S’jam këtu për rolin e viktimës. Të gjithë më thoshin fati jot që nuk të kapi syrin. Në ato momente doja vetëm të ikja. Mund të gjuhej më shumë,” deklaroi Mehmeti.
Ngjarja ka ndodhur pranë godinës së Kryeministria e Shqipërisë, ku u zhvillua protesta e opozitës. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar lidhur me rastin konkret të pretenduar nga kandidatja e PD-së.
