Katari ka bërë thirrje për mbajtjen të hapur të Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se çdo kërcënim ndaj sigurisë detare dhe lirisë së lundrimit përbën rrezik për të gjithë botën.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, tha se vendi i tij është në komunikim të vazhdueshëm me palë të ndryshme për të garantuar që kjo rrugë e rëndësishme detare të mbetet e hapur për transportin e mallrave dhe eksportin e energjisë nga rajoni i Gjirit.
Sipas tij, shumë vende varen nga lundrimi ndërkombëtar për sigurinë ushqimore, energjinë dhe furnizime të tjera jetike, ndaj çdo pengesë në këtë korridor detar është e papranueshme.
Al-Ansari theksoi gjithashtu se aktualisht nuk ka asnjë ndërmjetësim zyrtar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht spekulimeve për përpjekje diplomatike.
Ai akuzoi Iranin për sulme ndaj vendeve të rajonit, duke shtuar se shtetet e Gjirit nuk kanë interes të përfshihen në përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas tij, nëse sulmet ndalen, do të jetë e mundur të gjendet një zgjidhje përmes diplomacisë. Por, për sa kohë vendet e rajonit janë nën sulm, prioritet mbetet mbrojtja e sigurisë së tyre.
Që prej nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, konflikti ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka tronditur tregjet globale të energjisë, duke sjellë ndërprerje të mëdha në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare./mxh