Kate Cassidy ka reaguar pas komenteve të shumta që mori në rrjetet sociale lidhur me vendimin për të hequr disa tatuazhe të dedikuara ish-partnerit të saj, Liam Payne. Influencerja theksoi se ky vendim nuk ka lidhje me ndjenjat që vazhdon të ketë për këngëtarin e ndjerë, por vetëm me rezultatin estetik të tatuazheve.
27-vjeçarja publikoi në TikTok një video ku shfaqet gjatë procesit të heqjes me lazer të disa prej tatuazheve, ndërsa më pas njoftoi në Instagram se do të hiqte edhe simbolin “444”.
Sipas Cassidy, dizajni përfundimtar nuk përputhej me atë që kishte imagjinuar fillimisht.
“Vendosa t’i heq disa tatuazhe që nuk dolën ashtu siç doja. Kam në plan t’i realizoj sërish në të ardhmen”, u shpreh ajo.
Ajo shpjegoi se tatuazhet mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme emocionalisht dhe se synon t’i ribëjë me një stil më minimalist, me vija më të holla dhe në një pozicion tjetër të dorës, duke zgjedhur këtë herë një artist të specializuar në teknikën “fine line”.
Pas publikimit të videos, shumë ndjekës spekuluan se heqja e tatuazheve ishte një mënyrë për të lënë pas kujtimin e Liam Payne. Cassidy i hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se arsyeja e vetme ishte pamja e tyre dhe jo domethënia që mbartin.
Tatuazhet me krahë engjëlli dhe simbolet e tjera u realizuan rreth dy muaj pas vdekjes së Payne, si një mënyrë për ta kujtuar atë. Ish-anëtari i One Direction humbi jetën në tetor të vitit 2024, pasi u rrëzua nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë.
Edhe pse do të ndryshojë dizajnin dhe vendosjen e tyre, Kate Cassidy këmbëngul se tatuazhet do të vazhdojnë të jenë një homazh për Liam Payne dhe kujtimin që ai ka lënë në jetën e saj./mxh
