Rafael Behr
Britania nuk është e paqeverisshme, por kupa e pushtetit të lartë është helmuar me një lëndë që vepron jashtëzakonisht shpejt. Gjashtë kryeministra janë rrëzuar brenda një dekade. Pamja e foltores së vendosur përpara Numrit 10 në Downing Street për një fjalim dorëheqjeje është bërë pothuajse një ritual i zakonshëm.
Që nga referendumi për Brexit-in, mandati mesatar i një kryeministri në Downing Street ka qenë më pak se dy vjet. Ai votim nuk është drejtpërdrejt përgjegjës për fundin e sundimit të Keir Starmer-it. Ai solli me vete mangësi që nuk kishin lidhje me Bashkimin Europian. Mori pushtetin pa një ide të qartë se për çfarë e donte atë dhe e bezdiste pritshmëria që t’i shpjegonte më mirë synimet e tij. Por këto dobësi u ekspozuan shumë më brutalisht në klimën e tharë politike të Britanisë pas Brexit-it, një dekadë pas fillimit të thatësirës së mirëbesimit.
Qeverisja bëhet më e vështirë kur burimet shpërdorohen në një ushtrim vetëshkatërrues të politikës shtetërore. Shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i përbashkët europian dhe ngritja e sistemeve të reja që pengojnë tregtinë konsumuan rezerva të mëdha kapitali diplomatik dhe besueshmërie ekonomike. Kostoja në rritjen ekonomike të humbur – pra sa më e pasur do të kishte qenë Britania nëse do të kishte vazhduar trajektoren para referendumit – vlerësohet të jetë midis 4% dhe 8% të PBB-së.
Por kjo shifër nuk përfshin koston emocionale: degradimin e debatit publik, radikalizimin dhe polarizimin e shoqërisë, helmimin e kulturës politike nga një lëvizje që e shiti varfërimin si çlirim dhe që, kur gjithçka shkoi keq, fajësoi humbësit pse refuzonin të ushqenin iluzionet e fituesve.
Britania nuk është e vetmja demokraci që ka përjetuar çekuilibra ekonomikë dhe zhvendosje sociale që ushqejnë populizmin. Historianët do ta vendosin Brexit-in në kontekstin më të gjerë të reagimit nacionalist pan-europian dhe transatlantik kundër globalizimit liberal, i cili besonte me vetëkënaqësi se e kishte fituar betejën përfundimtare ideologjike pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Sindroma nuk është unike për një vend të vetëm, por në Britani ajo mori trajta të veçanta. Shprehja e saj përmes një referendumi e komplikoi situatën. Kur një parti radikale ose një demagog fiton në zgjedhje normale, ekziston qartësi mbi qëllimin dhe një pranim implicit se rezultati varet nga performanca. Votuesit mund të ndryshojnë mendje herën tjetër.
Një referendum nuk premton një “herë tjetër”. Përkundrazi, pretendimi përfundimtar i mandatit ishte arma më e fortë e kampit pro largimit. Asnjë sasi provash që tregonin se Brexit-i ishte gabim nuk mund ta çante argumentin se të jetosh përgjithmonë me atë vendim, pavarësisht pasojave, ishte përmbushje e panegociueshme e vullnetit popullor.
Shkalla e pasojave u fsheh edhe nga vetë pyetja e referendumit dhe u sqarua shumë pak gjatë fushatës. Asnjë nga pakënaqësitë që mobilizuan votën për largim nuk mund të zgjidhej me daljen nga BE-ja. Varfërimi i vendit dhe heqja dorë nga vendi në tryezat europiane ku merreshin vendime nuk ishte mënyra për të “rimarrë kontrollin”.
Ky devijim pati pasoja të shëmtuara. Retorika e një lufte çlirimtare kundër një shtypësi imagjinar kolonial në Bruksel e ktheu Brexit-in në një garë për të përcaktuar qëllimin patriotik të kombit. Kur realizimi i objektivit të fituesve përfundoi në një rrugë pa krye, u deshën armiq të rinj për të mbajtur gjallë kauzën.
Është një histori e vjetër. Kur revolucionet dështojnë të përmbushin premtimet e tyre, faji duhet t’u hidhet sabotatorëve, tradhtarëve dhe “armiqve të popullit”.
Sa më i gjatë zhgënjimi, aq më agresive bëhet gjuetia e kokave turku. Nigel Farage nuk po shijon lavdinë e fitores së tij të madhe të dhjetë viteve më parë. Përkundrazi, ai po kërkon mënyra gjithnjë e më hakmarrëse për ta paraqitur emigracionin si shkakun e të gjitha fatkeqësive të vendit.
Armiqësia racore, e cila gjatë fushatës së Brexit-it ishte e nënkuptuar dhe e maskuar, tani është e hapur. Politika e strehimit e Reform UK premton të përmbysë atë që e quan paragjykim “anti-të bardhëve”, duke hequr statusin e qëndrimit për qindra mijëra njerëz dhe duke i bërë shumë prej tyre të dëbueshëm e më pas të deportueshëm.
Kjo është, në thelb, një skemë për të liruar strehimin social përmes spastrimit etnik.
Paaftësia e Starmer-it për t’u përballur me këtë radikalizim do të mbetet pjesa më e trishtë e trashëgimisë së tij politike. Në opozitë, ai e përvetësoi tabunë për të mos vënë në dyshim mençurinë e Brexit-it, sepse mendonte se votuesit e zonave tradicionale laburiste ishin kapur nga lufta kulturore e kampit pro largimit dhe se mund t’u flitej vetëm në ato terma.
Në qeveri, ky supozim ushqeu një lloj “faragizmi” të ngadaltë në Ministrinë e Brendshme. Kryeministri përsëriti strategjinë e dështuar konservatore: të fitonte votuesit e Reform UK duke amplifikuar dhe legjitimuar argumentet e Nigel Farage-it.
Do të ishte e padrejtë të thuhej se Starmer nuk bëri asgjë për t’iu kundërvënë normalizimit të retorikës së ekstremit të djathtë. Por, si shpeshherë, ai e gjeti rrugën e duhur vetëm pasi provoi më parë atë të gabuarën.
Vetëm pasi shkaktoi zemërim dhe dëshpërim në partinë e vet, duke tingëlluar si Enoch Powell kur paralajmëroi se Britania rrezikonte të bëhej një “ishull të huajsh”, ai ndryshoi tonin.
Në konferencën e Partisë Laburiste vitin e kaluar, ai foli për një patriotizëm të bazuar te “dashuria dhe krenaria”, një patriotizëm që nënkupton shërbimin ndaj diçkaje më të madhe se vetja. Ai e kundërvuri këtë me modelin e Farage-it, të bazuar në negativitet të pandërprerë dhe nxitje urrejtjeje.
Por zëri i Starmer-it nuk shkoi përtej sallës së konferencës. Ai nuk dinte si ta projektonte atë me rezonancë emocionale afatgjatë.
Në këtë pikë, Andy Burnham, nëse do të jetë pasardhësi i tij, nis me një avantazh: ai ka një mënyrë më natyrale për të treguar histori dhe për të komunikuar me publikun.
Sigurisht, do të duhet shumë më tepër sesa aftësia narrative për të larguar helmin nacionalist që qarkullon në trupin politik të Britanisë. Dështimi në komunikim fillon me politika të konceptuara keq. Autenticiteti lind nga qartësia e qëllimit. Është e vështirë të shesësh me pasion diçka kur nuk e di mirë se për çfarë shërben.
Burnham mund të gabojë gjithashtu. Por ai të paktën e di kundër kujt lufton. Mandati i tij politik për të kandiduar për postin më të lartë u fitua në përballje të drejtpërdrejtë me Reform UK në Makerfield.
Starmer erdhi në pushtet duke menduar se mund ta linte Brexit-in pas. Ai nuk e kuptoi se bëhej fjalë për një garë midis mënyrave të ndryshme të identitetit kombëtar.
Nuk e kuptoi se vazhdimi i vërtetë i betejës së referendumit nuk ishte marrëdhënia e Britanisë me Bashkimin Europian, por lufta për t’ia rimarrë patriotizmin një lëvizjeje ideologjike që e përkufizon atë përmes zemërimit dhe ndarjes racore.
Është një betejë që Burnham mund ta fitojë në një vend ku shumica e njerëzve nuk duan të deportojnë miqtë dhe fqinjët e tyre.
Dhe është një betejë që ai duhet ta fitojë, nëse dëshiron të thyejë mallkimin e Brexit-it dhe të qëndrojë në Downing Street mjaftueshëm gjatë për të arritur diçka tjetër.
Rafael Behr është kolumnist i gazetës The Guardian.
