Last Updated on 06/11/2026 by Klara
Disa organizata mediatike në Irlandë kanë evakuuar punonjësit nga selitë e tyre në Dublin të premten, pas marrjes së kërcënimeve për bomba.
Mes mediave të prekura janë gazeta Irish Independent dhe transmetuesi publik RTÉ, të cilët raportuan se kishin marrë paralajmërime për praninë e mjeteve shpërthyese.
RTE bëri të ditur se alarmi u dha pas një emaili të marrë gjatë mëngjesit të së premtes. Prezantuesit dhe punonjës të tjerë u evakuuan nga ndërtesat e televizionit në jug të Dublinit, ndërsa në vendngjarje mbërriti policia irlandeze, Gardaí.
Transmetuesi deklaroi se përparësi mbetet siguria e punonjësve dhe personelit, ndërsa shërbimet normale do të rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, pas konsultimeve me policinë.
Prani policore është raportuar edhe në selinë e gazetës Irish Independent, ndërsa sipas raportimeve, evakuime janë kryer edhe në studiot e radiove Newstalk dhe Today FM. Ngjarjet vijnë në një kohë kur Europa po përballet me një valë kërcënimesh të rreme për bomba, që kanë shënjestruar edhe kompani ajrore dhe fluturime të ndryshme. Alarmet në Dublin marrin rëndësi të veçantë edhe për shkak se qyteti pritet të presë pas rreth një jave një takim të Komunitetit Politik Europian.
Eurodeputeti irlandez Barry Andrews reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar se samiti do të diskutojë sigurinë e Europës pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. “Ndërprerja, konfuzioni dhe mosbesimi janë synimi i këtyre sulmeve hibride. Udhëheqësit europianë duhet të vendosin kontrollin. Kjo nuk mund të vazhdojë”, shkroi ai. Ngjarja është ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të kërcënimeve./k.m
