Last Updated on 13/09/2026 by Anisa
Një 56-vjeçar është arrestuar në Vorë, pasi dyshohet se ka kërcënuar kushëririn e tij dhe familjarët e tij për t’i marrë 300 mijë euro.
Sipas policisë në portën e banesës në Gërdec, familjari kishte gjetur një fishek dhe një letër me kërcënime për jetën. Pas hetimeve, policia identifikoi dhe arrestoi autorin.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një celular.
56-vjeçari do të përballet me akuzat për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë dhe mbajtje pa leje të armëve, eksplozivëve dhe municionit.
Njoftimi i policisë Vorë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesazhi”.
Kanosi kushëririn e tij dhe familjarët e tij, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 000 euro, arrestohet në flagrancë 56-vjeçari.
Sekuestrohen municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.
Pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. M., se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i dhënë shumën prej 300 000 eurosh, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesazhi” me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë.
Ky shtetas, nëpërmjet kanosjes për jetën, ka kërkuar nga kushëriri i tij, shtetasi E. M., dhënien e shumës prej 300 000 eurosh, duke kanosur gjithashtu edhe familjarët e tij./ad
