Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Një galaktikë e largët, e njohur nga astronomët me nofkën “Patatja e Kuqe”, ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve pasi pothuajse ka ndaluar së krijuari yje të rinj, megjithëse zotëron një rezervë gjigante gazi të ftohtë, lënda kryesore nga e cila lindin yjet. Sipas një studimi të ri, shkaku mund të jetë një vrimë e zezë supermasive që ndodhet në një galaktikë fqinje dhe që po pengon këtë proces përmes një rryme të fuqishme energjie.
Studimi bazohet në vëzhgimet e observatorit me rreze X Chandra të NASA, të mbështetura nga të dhënat e teleskopit hapësinor James Webb, teleskopit Hubble dhe Very Large Telescope të ESO. Rezultatet ofrojnë një nga provat më bindëse deri më sot se aktiviteti i një vrime të zezë mund të ndikojë jo vetëm në galaktikën ku ndodhet, por edhe në galaktikat fqinje, duke ndryshuar zhvillimin e tyre.
Galaktika MQN01 J004131.9-493704 është quajtur “Patatja e Kuqe” për shkak të formës së saj të zgjatur dhe të parregullt, të vërejtur nga James Webb. Drita e saj ka udhëtuar rreth 11.7 miliardë vjet për të mbërritur deri tek ne, çka do të thotë se astronomët e shohin atë ashtu siç ishte kur universi kishte vetëm rreth dy miliardë vjet, një periudhë kur galaktikat po rriteshin me shpejtësi dhe po krijonin yje në ritme shumë të larta.
“Patatja e Kuqe” ndodhet në një zonë shumë të dendur të universit, aty ku kryqëzohen filamentet gjigante të të ashtuquajturës rrjetë kozmike. Këto struktura përbëhen nga gaz dhe galaktika që shtrihen në hapësirë si një rrjetë merimange gjigante dhe përfaqësojnë rajonet ku galaktikat furnizohen vazhdimisht me gaz të ri.
Vëzhgimet me Very Large Telescope treguan se galaktika është e rrethuar nga një re gjigante gazi relativisht të ftohtë, që shtrihet për qindra mijëra vite dritë. Në kushte normale, një rezervë e tillë do të ishte ideale për krijimin e yjeve të rinj, pasi gazi duhet të ftohet gradualisht, të tkurret nën ndikimin e gravitetit dhe të formojë yje. Megjithatë, në këtë galaktikë ndodh e kundërta.
Pavarësisht sasisë së madhe të gazit, ritmi i formimit të yjeve është jashtëzakonisht i ulët. Galaktika dominohet nga yje të vjetër dhe të ftohtë, të cilët i japin ngjyrën karakteristike të kuqërremtë të vëzhguar nga James Webb dhe Hubble.
“Yjet nuk po formohen ashtu siç pritej, ndaj u përpoqëm të kuptonim arsyen”, shpjegon Weichen Wang nga Universiteti Milano Bicocca, autori kryesor i studimit. “Zbuluam se mund të ketë një lloj kuzhinieri kozmik që po ndërhyn në këtë proces.”
Shkencëtarët arritën në këtë përfundim pasi zbuluan se reja e gazit që rrethon galaktikën është jashtëzakonisht turbulente. Në vend që të ftohet dhe të grumbullohet drejt qendrës së galaktikës për të krijuar yje, gazi vazhdon të përzihet vazhdimisht. Është njësoj sikur të përpiqesh të lësh baltën të bjerë në fund të një gote, ndërsa dikush vazhdon ta trazojë pa pushim.
Përgjigjja mund të vijë nga një galaktikë fqinje, e vendosur rreth 200 mijë vite dritë larg, ku ndodhet një vrimë e zezë supermasive aktive. Kur këto objekte thithin materie, një pjesë e energjisë nuk përfundon brenda tyre, por lëshohet në hapësirë në formën e rrymave jashtëzakonisht të fuqishme të grimcave, që udhëtojnë pothuajse me shpejtësinë e dritës. Një prej këtyre rrymave duket se është drejtuar pikërisht drejt resë së gazit që rrethon “Pataten e Kuqe”.
Energjia e këtij fluksi mund ta mbajë gazin në lëvizje të vazhdueshme, duke mos e lejuar të ftohet dhe të kondensohet për të krijuar yje të rinj.“Nëse rryma e vrimës së zezë po e përzien vërtet gazin rreth ‘Patates së Kuqe’, atëherë galaktika po humbet materialin e nevojshëm për të ndërtuar yje të rinj. Në praktikë, ajo do të vdesë ngadalë nga mungesa e lëndës ushqyese”, shpjegon Sebastiano Cantalupo, bashkautor i studimit nga Universiteti Milano Bicocca. Deri tani astronomët kishin vëzhguar shumë raste kur vrimat e zeza ndikojnë në zhvillimin e galaktikës së tyre, duke ngrohur ose larguar gazin e disponueshëm. Ky studim sugjeron diçka edhe më interesante, se rrymat e prodhuara nga një vrimë e zezë mund të ndikojnë edhe në galaktikat fqinje, duke ndryshuar evolucionin e tyre në distanca prej qindra mijëra vitesh dritë. Nëse kjo teori konfirmohet, do të ishte një shembull i qartë i asaj që astronomët e quajnë “feedback ndërgalaktik”, një fenomen i parashikuar prej kohësh nga modelet teorike, por i vëzhguar shumë rrallë.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur krahasohet galaktika që strehon vrimën e zezë me “Pataten e Kuqe”. Ndërsa kjo e fundit pothuajse ka ndalur krijimin e yjeve, galaktika fqinje vazhdon të prodhojë yje me ritme shumë të larta dhe është e mbushur me yje të rinj, të mëdhenj dhe shumë të nxehtë. Me fjalë të tjera, ndërsa vazhdon të ndërtojë yje për veten, ajo mund të jetë duke penguar njëkohësisht galaktikën fqinje të bëjë të njëjtën gjë.
Autorët shqyrtuan edhe mundësi të tjera për të shpjeguar turbulencën e gazit, si prania e një vrime të zezë të fshehur në qendër të “Patates së Kuqe” ose energjia e çliruar nga yjet e paktë që ende formohen aty. Megjithatë, asnjë nga këto hipoteza nuk i shpjegon të dhënat aq mirë sa rryma energjetike që vjen nga galaktika fqinje. Studimi përfaqëson një nga rastet e rralla kur është analizuar drejtpërdrejt gazi që rrethon një galaktikë pasive kaq të largët në kohë, një galaktikë që pothuajse kishte ndalur krijimin e yjeve kur universi ishte ende në fazat e para të historisë së tij.
