Last Updated on 05/01/2026 by Kesjana
Kina ka thyer heshtjen pas arrestimit të Nicolas Maduros nga forcat amerikane, duke deklaruar se asnjë vend nuk ka të drejtë të veprojë si “polici i botës”.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u shpreh se Pekini nuk mund të pranojë që një komb i vetëm të marrë rolin e gjykatësit ndërkombëtar.
Gjatë një takimi në Pekin me homologun e tij pakistanez, Wang Yi iu referua “zhvillimeve të papritura në Venezuelë” pa përmendur direkt emrin e SHBA-ve.
“Ne nuk besojmë se ndonjë vend mund të veprojë si policia e botës, as nuk pranojmë që ndonjë komb të pretendojë se është gjykatësi i botës”, tha diplomati i lartë kinez.
Ai shtoi se imazhet e Maduros, 63 vjeç, i lidhur me pranga dhe me sy të mbyllur, ishin tronditëse dhe se siguria e çdo shteti duhet të mbrohet sipas ligjeve ndërkombëtare.
Analistët thonë se ky operacion amerikan është një goditje e fortë për Kinën. Pekini ka investuar miliarda dollarë në Venezuelë dhe e konsideronte veten një “mik të qëndrueshëm” të Karakasit.
Vetëm në vitin 2024, Kina bleu mallra (kryesisht naftë) me vlerë 1.6 miliardë dollarë nga Venezuela. Gjigantët kinezë të naftës kanë investuar ndër të tjera rreth 4.6 miliardë dollarë në këtë vend ndër vite.
Kapja e Maduros ndodhi vetëm pak orë pasi ai ishte takuar me përfaqësuesin special të Kinës për Amerikën Latine.
Ky fakt e bën situatën edhe më të vështirë për diplomacinë kineze, e cila vitet e fundit po përpiqet të luajë rolin e peshës së rëndë në zgjidhjen e konflikteve botërore.
Ndërkohë që Trump ka deklaruar se SHBA-të do të mbikëqyrin qeverinë e Venezuelës për momentin, Kina e sheh këtë si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj partneritetit të saj strategjik me këtë vend./kb
