Kina ka bërë publike një hetim për korrupsion ndaj një gjenerali të rangut të lartë – i cili ka qenë larg vëmendjes së publikut për njëfarë kohe.
Gjenerali He Weidong i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, i cili shërbeu gjithashtu si nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, shkeli disiplinën e partisë dhe dyshohet se ka kryer krime të rënda zyrtare që përfshijnë “shuma jashtëzakonisht të mëdha parash”, tha sot Ministria Kineze e Mbrojtjes, në Pekin.
Rasti i fundit i ryshfetit ka tronditur ushtrinë – tashmë të prekur nga korrupsioni – të Republikës Popullore.
“He Weidong, 68 vjeç, së bashku me tetë zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, do të përjashtohen nga Partia Komuniste dhe do t’u dorëzohen prokurorëve për hetim”, njoftoi ministria.
He Weidong u pa publikisht për herë të fundit në mars – gjatë Kongresit Kombëtar Popullor dhe që atëherë ka munguar në shumë ngjarje partiake.
Brenda Komisionit Qendror Ushtarak, gjenerali shërbeu si nënkryetar nën drejtimin e Zhang Youxia – duke u renditur vetëm një nivel poshtë kryetarit të këtij organi të lartë udhëheqës ushtarak, presidentit dhe kryetarit të Partisë Xi Jinping.
Ai ishte gjithashtu anëtar i Byrosë Politike, i vendosur brenda një rrethi të fuqishëm udhëheqës të Partisë Komuniste.
Në nëntor, Ministria e Mbrojtjes njoftoi një hetim ndaj një zyrtari tjetër, Miao Hua, për shkelje të rënda disiplinore.
Miao, i cili drejtonte Departamentin e Punës Politike të Komisionit Qendror Ushtarak, është gjithashtu midis nëntë të dyshuarve.
Ushtria Çlirimtare Popullore vazhdon të përballet me turbulenca nën fushatën shumëvjeçare kundër korrupsionit të Xi. /K.M
