Last Updated on 17/04/2026 by EL
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, deputeti Flamur Noka, i cili u lëndua pas përdorimit të gazit lotsjellës nga policia gjatë protestës, deklaroi para mediave se, sipas tij, forcat e rendit kanë vepruar nën urdhërat e kryeministrit Edi Rama.
Noka u shpreh se, sipas tij, frika dhe paniku i kryeministrit ka ndikuar në sjelljen e policisë, të cilën ai e cilësoi si të keqorientuar dhe të përdorur politikisht. Ai shtoi se urdhrat, sipas tij, vijnë nga “regjimi” dhe synojnë përballjen me opozitën.
Në deklaratën e tij, Noka kritikoi ashpër mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestës, duke e krahasuar situatën me, siç u shpreh ai, regjime autoritare, ndërsa pretendoi se qëllimi është mbyllja e zërit të opozitës përmes presionit dhe frikës.
Ai shtoi se, pavarësisht tensioneve dhe ndërhyrjes së forcave të rendit, opozita do të vijojë aktivitetin e saj politik, duke e konsideruar protestën si pjesë të qëndrimit të saj kundër qeverisë.
Flamur Noka: Nuk është parë as në regjimin e Ajatollahut. Frika dhe paniku i Edi Ramës ka kthyer policinë në organizatë kriminale.
Panikun e kreut të narkos nuk e ndalojnë dot as këta, që janë veshur si në luftë, as ata që hedhin ujë, që tek pallati i Arlis nuk kishin ujë. Këta lëvizin në këmbë në punë sepse skanë lekë të blejnë karburant. Por urdhri i regjimit i detyron të përplasen. Edi Rama kujton se me terror do ti mbyllë gojën opozitës./et
