Last Updated on 08/11/2025 by Kesjana
TIRANË – Komiteti Drejtues i CEFA-s (Aleanca e Panaireve të Evropës Juglindore dhe Qendrore) u mblodh këtë javë në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – Edicioni i 31-të, organizuar nga Klik Ekspo Group. Takimi mblodhi drejtues europianë të panaireve, përfaqësues institucionesh dhe investitorë ndërkombëtarë, duke vendosur fokusin tek projektet strategjike të Shqipëria 2030.
Luel Muhametaj, menaxher i përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, theksoi rolin që Klik Ekspo Group ka pasur në rritjen e investimeve të huaja në vend përgjatë tre dekadave të fundit. Ai nënvizoi se edicioni i ardhshëm i panairit do të sjellë një ripozicionim strategjik në përputhje me objektivat kombëtare të zhvillimit.
“Në këto 30 vite kemi sjellë qindra kompani të huaja në Shqipëri. Me planin e ri 5-vjeçar 2025–2030, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës do të promovojë dhe orientojë investitorët drejt strategjive të ‘Shqipëria 2030’. Kur investon në Shqipëri, investon në të ardhmen,” – deklaroi Muhametaj.
Një nga risitë më të rëndësishme të prezantuara gjatë takimit ishte projekti “Expo Albania”, që do të ndërtohet në periferi të Tiranës.
Florensa Haxhi, CEO e Durana Tech Park, zbuloi se qendra e re do të jetë kompleksi më i madh i panaireve në Ballkan, me një hapësirë prej 23,000 m² dhe një sallë ekspozitash prej 4,000 m², e projektuar nga studioja ndërkombëtare Steven Holl Architects. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2026.
“Expo Albania do të jetë një qendër moderne, e aftë të presë marka dhe evente ndërkombëtare, ku natyrisht Klik Ekspo do të jetë një ndër partnerët strategjikë,” – tha Haxhi.
Në panelin e CEFA-s morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare si Miratel Digital nga Dubai dhe Poslovne Novine nga Bosnje-Hercegovina. Ata prezantuan përvoja dhe zgjidhje inovative për transformimin digjital të ekspozitave dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe Evropën Qendrore.
CEFA – Aleanca e Panaireve të Evropës Juglindore – është një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar që synon të unifikojë standardet, të forcojë partneritetet ndërmjet organizatorëve të panaireve dhe të nxisë marketingun ndërkombëtar për ekspozuesit dhe vizitorët.
Takimi në Tiranë u konsiderua një moment kyç për bashkëpunimin rajonal në fushën e industrisë së panaireve dhe për pozicionimin e Shqipërisë si një qendër e re e eventeve ndërkombëtare në Ballkan./kb
