Last Updated on 11/08/2025 by adminfjala
Kreu i Dhomës së Avokatisë në Durrës, Lorval Petani, ka komentuar në studion e Syri Tv ndryshimet në Kodin e ri Penal. Petani u shpreh se ndryshimet e propozuara nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin stokun e dosjeve nëpër gjykata.
Avokati u shpreh më tej se drafti heq ndasinë mes zyrtarëve të lartë dhe atyre të zakonshëm duke i klasifikuar të gjithë njësoj dhe bën një qasje për vepër penale nga 3 deri në 8 vjet burg. Sipas tij, propozimet e bëjnë Kodin e ri Penal, njësoj si ai i Turqisë.
“Ka pasur organizata në Shqipëri që janë paguar me miliona euro për të bërë analizën e stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë. Jo vetëm që nuk u rregullua, por janë shtuar.
Nëse do të shtonim 617 nene të reja, përpos 332 nene që kemi, çfarë do ndodhë me sistemin e drejtësisë? Shtohet volumi i çështjeve, shtohen dosjet, shtohen veprat penale, dhe çfarë do të bëhet me ketë prokurori që kemi.
Sa u munduan të rregullojnë diçka me magjistratët e rinj që dolën, ne kërkojmë të shtojmë volumin e çështjeve penale, shtojmë dosjet dhe çfarë do bëjmë? Do bëjmë një mbingarkesë të çështjeve që do sjellë anomali.
Po të bëjmë krahasime të kodit aktual me kodin e ri. Referuar vetëm një neni përsa i përket shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të lartë.
Neni 260 i kodit aktual referon problemet e zakonshëm që kanë një kualifikim nga 2 deri në 8 vite burg dhe zyrtarët e lartë nga 2 në 12 vite burg.
Çfarë ka bërë drafti i ri? Ky draft heq ndasinë mes zyrtarëve të lartë dhe atyre të zakonshëm, i klasifikon të gjithë njësoj dhe bën një qasje për vepër penale nga 3 deri në 8 vjet burg. U është dhënë një mundësi për uljen e dënimit.
Dhe nga ana tjetër kemi sanksione për kërcënime të pavarësisë së sistemit gjyqësor, sanksione për shprehjen e lirë, sakonsione për shpifjen. Sanksione për shpifjen si do ta interpretosh? Kemi një censurë.”-u shpreh Lorval Petani. m.p.
