Last Updated on 03/12/2025 by Monika
Rrjeti elektrik i Kubës pësoi një kolaps të pjesshëm herët në mëngjesin e së mërkurës (3 dhjetor), duke lënë kryeqytetin Havana dhe një pjesë të madhe të rajoneve perëndimore pa energji elektrike, raportojnë mediat lokale dhe dëshmitarët.
Drejtori i Përgjithshëm i Elektricitetit në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, Lazaro Guerra, tha në televizionin shtetëror se incidenti ndodhi pak pas orës 5 të mëngjesit, kur një linjë transmetimi dështoi. Sipas tij, defekti shkaktoi një mbingarkesë që la pa energji zonën perëndimore të vendit, përfshirë provincat Mayabeque, Havana, Artemisa dhe Pinar del Rio.
Cuba po përballet prej vitesh me një krizë të thelluar energjetike. Termocentralet e vjetra me naftë mezi funksionojnë, ndërsa furnizimet me karburant nga Venezuela, Rusia dhe Meksika janë pakësuar ndjeshëm. Si rezultat, rrjeti elektrik është shembur disa herë, pjesërisht ose tërësisht.
Banorët në të gjithë ishullin po përjetojnë ndërprerje të përditshme që zgjasin deri në 20 orë, ndërsa edhe Havana, që dikur mbrohej nga ndërprerjet më të gjata, tani mbetet rregullisht për 10 orë ose më shumë pa energji./mxh
