Last Updated on 19/11/2026 by EL
Vendet e Bashkimit Evropian kanë hedhur hapin e parë drejt vendosjes së një periudhe prove 10-vjeçare për anëtarët e rinj, gjatë së cilës vendeve që do t’i bashkohen unionit, duke nisur nga Mali i Zi, mund t’u pezullohen të drejtat e votës në rast të shkeljeve të rënda të shtetit të së drejtës ose pengimit të vendimmarrjes së BE-së.
Komisioni Evropian prezantoi propozimin muajin e kaluar, me synimin për të shmangur përsëritjen e përvojës me Hungarinë nën drejtimin e Viktor Orbán, qeveria e së cilës ka shkelur vlerat themelore të unionit dhe ka përdorur vazhdimisht veton për të bllokuar vendime që kërkojnë unanimitet.
Fillimisht, Komisioni propozoi një periudhë prove prej 15 vitesh. Megjithatë, disa vende, veçanërisht Italia dhe anëtarët e tjerë të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që mbështet integrimin e rajonit në BE, argumentuan se një periudhë kaq e gjatë vështirë se mund të konsiderohej e përkohshme.
Irlanda, e cila drejton negociatat mes vendeve anëtare në cilësinë e presidencës së radhës së Këshillit të BE-së, propozoi shkurtimin e periudhës në 10 vjet, me mundësinë e zgjatjes edhe për pesë vite të tjera. Propozimi mori mbështetje të gjerë nga ambasadorët e vendeve anëtare të mërkurën.
Sipas një diplomati të BE-së, i cili ka dijeni të drejtpërdrejtë për diskutimet, ambasadorët treguan gatishmëri shumë më të madhe për kompromis sesa zyrtarët që kishin negociuar për javë të tëra mbi detajet e propozimit.
Çështja më e diskutueshme mbetet përcaktimi i rasteve që do të çonin në pezullimin e të drejtave të votës. Mali i Zi, vendi më pranë anëtarësimit në BE, ka paralajmëruar se çdo vendim duhet të mbështetet në kritere objektive dhe në shkelje sistematike të vlerave dhe rregullave të unionit.
Disa vende anëtare që mbështesin vendet kandidate kundërshtojnë përfshirjen e shkeljeve të parimit të “bashkëpunimit të sinqertë”, një dispozitë e traktateve të BE-së që u kërkon vendeve anëtare të bashkëpunojnë në mirëbesim dhe të mos pengojnë objektivat e unionit. Sipas tyre, shkelje të tilla janë të vështira për t’u vlerësuar në mënyrë objektive.
Këto vende kundërshtojnë gjithashtu pezullimin e plotë të të drejtave të votës për anëtarët e rinj, duke shprehur shqetësimin se ky mekanizëm mund të përdoret për t’i detyruar ata të heqin dorë nga qëndrimet që lidhen me interesat e tyre kombëtare, duke krijuar në praktikë një kategori të dytë anëtarësimi në BE.
Irlanda propozoi gjithashtu ndryshimin e mënyrës së aktivizimit të mekanizmit mbrojtës, duke parashikuar që vendimet të merren me shumicë të cilësuar. Kjo do të thotë mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare, që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së. Edhe për këtë propozim, vendet anëtare nuk shprehën kundërshtime të forta.
Diskutimet tashmë do të përqendrohen te mënyra se si këto rregulla të përgjithshme do të zbatohen konkretisht për Malin e Zi. Propozimi i Irlandës do të shërbejë si bazë për klauzolat mbrojtëse në traktatin e anëtarësimit të Podgoricës, të cilin Komisioni Evropian synon ta nënshkruajë deri në qershor 2027.
Zyrtarët pritet të zhvillojnë në fillim të javës së ardhshme diskutimet e para teknike mbi një draft të pjesës përkatëse të traktatit, Kapitulli 35. Ndërkohë, Podgorica, e cila nuk mund të negociojë këtë pjesë të traktatit, po lobon te vendet anëtare për të ndikuar në përmbajtjen e tij.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse masat mbrojtëse do të përshtaten posaçërisht për Malin e Zi apo do të krijojnë një precedent që do të zbatohet për të gjitha vendet e ardhshme anëtare të Bashkimit Evropian.
