Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Të paktën 25 persona mbetën të plagosur nga shpërthimi i një automjeti të mbushur me eksploziv, në qytetin Villavicencio, në Kolumbinë qendrore, ndërsa dëme të mëdha janë shkaktuar në selinë e qeverisë rajonale dhe në ndërtesat përreth.
Shpërthimi ndodhi dje në mbrëmje, rreth orës 21:00, përpara selisë së qeverisë së rajonit Meta.
Sipas autoriteteve, deri më tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore.
Fuqia e shpërthimit, krijoi një krater të madh në rrugë, shkatërroi xhamat e ndërtesave dhe dëmtoi automjete, dyqane dhe biznese në zonën përreth.
Në disa pjesë të qendrës së qytetit, pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella, deklaroi se objektiv i atentatit ishte selia e qeverisë rajonale të Meta-s dhe paralajmëroi se autorët do të ndiqen penalisht.
Kryetari i bashkisë së Villavicencios, Alexander Baquero, tha se dyshimet paraprake lidhen me një grup të shkëputur nga ish-guerrilja FARC, që vepron në rajonin Meta.
Sipas tij, sulmi mund të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj operacioneve ushtarake kundër këtij grupi.
Ngjarja ndodhi në prag të 10-vjetorit të marrëveshjes historike të paqes mes qeverisë kolumbiane dhe FARC-së, e nënshkruar më 24 nëntor 2016.
Marrëveshja çoi në çarmatimin e më shumë se 14 mijë luftëtarëve të kësaj organizate, e cila për dekada ishte përfshirë në konfliktin e armatosur në vend.
Megjithatë, dhuna ka vijuar në disa rajone të Kolumbisë, ku grupe të tjera të armatosura dhe organizata kriminale, konkurrojnë për kontrollin e territoreve dhe të rrugëve të trafikut të drogës.
Sulmi në Villavicencio, vjen në një periudhë të përshkallëzimit të dhunës në vend.
Grupet e armatosura kanë përdorur gjithnjë e më shumë dronë me eksploziv, raketa artizanale dhe bomba të vendosura në rrugë, duke goditur si forcat e sigurisë, ashtu edhe objektiva të tjera.
Presidenti De la Espriella premtoi se operacionet kundër grupeve të armatosura, do të intensifikohen dhe deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet përballë akteve të dhunës./mxh
