Last Updated on 15/10/2025 by EL
Nga av. Gurali Brahimllari
Duke ndjekur jurisprudencën e fundit të GJEDNJ-së vlerësoj se duhet t’i rikthehem problematikave të praktikës gjyqësore në lidhje me aplikimin masat pasurore kundër pasurive, të fituar në mirëbesim, nga Personat e Tretë, duke përfshirë edhe konfskimin e pasurisë, në procesin penale që zhvillohet kundër personave të tjerë.
Në bindjen time, barrwn e provws në procesin penale edhe për konfiskimin e pasurisw e ka vetëm Prokuroria, e cila kur është fjala për pasuri që kanë kaluar në favor të Personave të Trete, duhet të provojë edhe implikimin e këtyre të fundit në veprimtarinë kriminale. Ndërsa Gjykata jo vetëm duhet të pranojë në proces palën e interesuar, por edhe duhet të respektojë nenin 190/1/a të K.Pr.Penale që ndalon konfiskimin e sendev që u përkasin personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale.
Edhe pse legjislacioni aktual penal prezumon paprekshmërinë e pasurisë të personave që nuk janë gjendur fajtor për kryerjen e një krimi, përsëri në mjaft raste konstatohet se janë dhënë edhe vendime për konfiskimin e pasurive, në shkelje të drejtave më minimale për procesin e rregullt ligjor për shkak se këta persona nuk janë thirrur si palë në gjyq, nuk janë dëgjuar nga gjykata, u është mohuar e drejta për tu mbrojtur, madje, nuk janë legjitimuar si palë as në Apel.
Kjo praktika e gabuar gjyqësore, bie ndesh edhe me jurisprudencën e GJEDNJ-së e cila, duke respektuar legjislacionin e brendshëm, ka bërë dallimin mes masave pasurore që caktohen sipas ligjeve parandaluese (antimafia), në raport me masat e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që vendosen në procedurë penale, duke theksuar në çdo rast si paprekshmërinë e të drejtave të përsonit të trete që ka fituar pronën në mirëbesim ashtu edhe të drejtën e gjithkujt për procesin e rregullt ligjor. Prandaj për të intersuarit sjell në vemendje edhe dy vendimet më të fundit të GJEDNJ që lidhen me këto problematika të cilat, edhe pse i referohen paligjshmerisë së vendimeve të gjykatave italiane, për konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë, janë, jo vetëm krejtësisht të përshtatëshme për shkak të legjislacionit të përafërt, por edhe të detyrueshme për zbatim nga të gjitha institucionet e drejtësisë në vendin tone (nenet 17, 116 e 122 të Kushtetutës).
Kështu në vendimin e shpallur më 25 shtator 2025, çështja Isaia etj k. Italisë, GJEDNJ ka trajtuar paligjshmërinë e shtrirjes së konfiskimit edhe ndaj pasirive të Personave të Tretë, të afërm të familjes, me një “personi të rrezikshëm për shoqërinë”, për shkak të veprimtarisë së tij kriminale të kryer gjatë periudhës së viteve1980–2008 (parashikuar nga ligji nr. 159/2011), me ngjashmëri absolute, me procedurën e gabuar që u ndoq në vendin tonë (e vijon të ketë pasoja) për masat pasurore të caktuara sipas aktit normative nr 01/2020 (I ashtuquajur OFL). Thelbësore në këtë çështje është fakti se Gjykatësit e Strasburgut evidentuan mospërputhje mes kohës së krijimit të pasurisë në raport me veprimtarinë kriminale për të cilën ishte dënuar aplikanti i parë e për rrjedhojë për Gjykatën nuk kishte arsye bindëse se pasurite e konfiskuara që gjenedeshin në emër të afërmve (bashkëshortes e djalit) kishin lidhje me përfitimet e të dënuarit nga veprimtaria kriminale përderisa nuk kishte prova se këto pasuri ishin produkte të veprave penale të kryera prej të dënuarit.
Ndërsa në vendimin e bërë publik në dt 09.10.2025 çështja Petruzzo etj k. Italisë, Gjykatësit e Strasburgut kanë shtjelluar shkeljen e të drejtave të Personave të Tretë, në përfundim të një procesi gjyqësor që është zhvilluar kundër personave të tjerë (të cilët janë gjetur fajtor e janë dënuar), që ka ngjashmëri me procedurën arbitrare që po ndiqet dy – tre vitet e fundit në lidhje me konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë, te cilet nuk kane qene pjesemarres ne kryerjen e vepres penale te kryer personat që janë gjykuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, të shpërdorimit të detyrës etj.
Në këtë çështje rezulton se autoritet gjyqësore Italiane kishin shtrirë konfiskimin edhe mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë (banesë) të cilat Personat e Trete i kishin BLERË me kontratë noteriale, disa vite përpara se të merreshin në përgjegjësi penale “shitësit” e këtyre pasurive. Gjykata e Strasburgut konfirmoi se masa e konfiskimit përbënte dënim penal që është dhënë ndaj Personave të Tretë, të cilët nuk kishin qenë pjesëmarrës në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër peronave të tjerë (që u gjenden fajtor e u dënuan për veprën penale të kryer). Prandaj u konkludua se vendimet e gjykatave Italiane që “dënuan” Personat e Trete me konfiskimin e pasurise, kane shkelur te drejtat e garantuar nga neni 7 i KEDNJ sepse këta persona janë dënuar per veprën penale qe kane kryer personat e tjere (shitesit e pasurise së paluajtëshme) dhe se ndaj tyre nuk u provua se Prokuroria kishte ngritur akuzë për kryerjen e ndonje vepre penale.
Për më tepër Gjykatesit e Strasburgut kane konstatuar se Personave të Tretë u janë shkelur edhe garancitë e nenit 6 të KEDNJ, për shkak se u është mohuar e drejta që të dëgjohen nga gjykata vendase dhe të mbrohen në procesin gjyqesor në përfundim të të cilit u vendos konfiskimi i pasurisë së blerë prej tyre. Madje sjellim në vemendje se në këtë rast, sipas të drejtës që njeh ligjislacioni Italian, Personat e Trete, pasi kanë ardhur në dijeni të vendimit të konfiskimit, kanë kundërshtuar “dënimin” e tyre para gjykatesit të ekzekutimit të vendimeve penale, por kjo procedurë është konsideruar nga Gjykata e pamjaftueshme për garancite e të drejtës së mbrojtjes, përderisa personat nuk ishin thirrur e dëgjuar në procesin kryesore penal ku u disponua me konfiskimin e pasurive të tyre.
Po keshtu GJEDNJ ka konstatuar edhe shkeljen e te drejtes per gezimin e qete te prones private qe garanton Nenit 1 te Prot 1 i KEDNJ per shkak se konfiskimi i pasurive të blera nga Personat e Trete, nuk është në përputhje me parimit te ligjshmërise.
Duke theksuar se, si rralle here në këët rast, GJEDNJ ka vendosur të zgjidhë perfundimisht çështjen, duke u kthyer pasurine e paluajtshme Personave te Trete si dhe duke i kompensuar ata për dëmin moral dhe për shpenzimet e kryera, kërkojmë të tërheqim vemendjen e të gjitha aktorëve të zbatimit të ligjit në vendin tonë dhe posaçerisht Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të Posaçëm që të ndryshojnë qasjen e tyre lidhur me konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë.
Me këtë rast sjell në vemendje edhe faktin se, Projekti i Kodit të ri Penal, për të cilin pati dhe ka diskutime të shumta, duket se për këto problematike ka një qasje të re, për shkak se ka parashikuar për herë të parë mundësinë e “Konfiskimi tek te tretet”. Sipas përmbajtjes së nenit 75 të këtij Projekti janë përcaktuar kushte të qarta të lejimit të kësaj mase pasurore (në rastet kur Personat e Tretë e kanë ditur ose duhej të kishin ditur që qëllimi i tjetersimit te pronesise ose i blerjes ka qenë shmangia e konfiskimit) me urdhërimin se “”…3. Konfiskimi sipas paragrafit të parë të këtij neni nuk cenon të drejtat e palëve të treta që janë në mirëbesim.”
Në kushtet kur miratimi i këtij projekti të Kodit Penal do të kërkojë ende shumë kohë, besoj se Jurisprudenca e GJEDNJ-së në dy vendimet e sipërpërshkruara, do të japë efektin e duhur për reflektim në praktikën tonë gjyqësore në çështjet e konfsikimit. Pra, duke zbatuar nenet 30/2 dhe 36 të K.Penal për dënimin plotësues të konfiskimit me qëllimi që të “heqen nga duart e krimit” pasuritë që janë fituar nga veprimtaria kriminale, kërkohet që të respektohen të drejtat e pronësisë të fituara në mirëbesim nga Personat e Tretë, jo pjesëmarës në kryerjen e veprës penale, duke garantuar në çdo rast për ta, të drejtat për procesin e rregullt ligjor sipas neneve 17, 41 e 42 të Kushtetutës si dhe neneve 6 dhe 7 të KEDNJ dhe nenit “1” Prot “1” të saj./E.T
