Kryetarët e linjave ajrore evropiane kanë kërkuar të enjten nga Bashkimi Evropian të shtyjë disa pjesë të agjendës së gjelbër, duke paralajmëruar rritje të çmimeve të biletave për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Por Brukseli e hodhi menjëherë poshtë këtë kërkesë, duke thënë se objektivat klimatike mbeten në rrugë të duhur.
Industria e aviacionit, përmes grupit lobues A4E, theksoi mungesën e karburantit sintetik të qëndrueshëm për avionët (eSAF) dhe kostot e larta, duke kërkuar shtyrjen e mandatit për përdorimin e tij që nga viti 2030.
Kryeshefi i EasyJet, Kenton Jarvis, deklaroi: “Ne po kërkojmë që mandati eSAF të shtyhet deri sa karburanti të jetë realisht i disponueshëm.”
Kryeshefi i Ryanair, Michael O’Leary, paralajmëroi se nëse ngushticat e Hormuzit mbeten të mbyllura, çmimet e naftës dhe ato të biletave do të qëndrojnë të larta, edhe pse përtej disa javëve të ardhshme çdo parashikim është spekulativ.
Krizë e aviacionit u shkaktua nga konflikti në Lindjen e Mesme, që ka detyruar anulime fluturimesh dhe rishikime të itinerareve me mijëra kilometra, ndërsa shumica e hapësirës ajrore mbi Gjirin mbetet e mbyllur për shkak të frikës nga sulmet me raketa dhe dronë.
Çmimet e karburantit për avionët janë rritur ndjeshëm: në Evropë janë dyfishuar dhe në Azi janë rritur gati 80% që nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit që nisën në fund të shkurtit.
Edhe pse shumica e linjave ajrore evropiane janë mbrojtur nga kontratat e hedging-ut të karburantit, ato kontrata do të skadojnë muajt e ardhshëm, duke rritur rrezikun për çmime më të larta të biletave për udhëtarët./mxh
