Konflikti i fundit mes United States, Israel dhe Iran po ndikon ndjeshëm edhe në industrinë globale të turizmit, duke ndryshuar planet e udhëtimit për festat e Pashkëve.
Sipas kompanisë së analizës së të dhënave turistike Mabrian, pasiguria në Lindjen e Mesme po i shtyn turistët të orientohen drejt destinacioneve që perceptohen si më të sigurta, kryesisht në rajonin e Mesdheut.
Zëdhënësi i kompanisë, Carlos Cendra, thekson se kërkesa turistike po zhvendoset nga vendet e Gjirit drejt Evropës Jugore.
SOUNDBITE (Carlos Cendra):
“Spanja është destinacioni që po përfiton më shumë nga kjo zhvendosje, e ndjekur nga Italia dhe Greqia, ndërsa edhe Maroku po shënon rritje të interesit.”
Në qytete si Palma de Mallorca dhe ishujt turistikë si Ibiza dhe Menorca, sezoni turistik pritet të jetë më i ngarkuar, ndërsa vizitorët kërkojnë kombinimin e plazhit, natyrës dhe jetës urbane.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se interesi nuk përkthehet gjithmonë në rezervime konkrete. Faktorë si çmimet e fluturimeve, akomodimit dhe zhvillimi i mëtejshëm i konfliktit do të jenë vendimtarë.
Ndërkohë, industria e aviacionit po përballet me sfida serioze, pasi shumë fluturime janë anuluar ose devijuar për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore në rajonin e Gjirit, duke rritur kostot dhe çmimet e biletave.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti zgjat, kjo mund të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve dhe presion mbi destinacionet turistike evropiane gjatë sezonit të verës./mxh
