Last Updated on 03/09/2026 by Anisa
Pesë aparate celularë janë gjetur gjatë një kontrolli të ushtruar në orët e para të mëngjesit në sektorin B të burgut të Durrësit, ku ndodhen disa ish-zyrtarë, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kontrolli është kryer nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Deri më tani nuk dihet se kujt prej personave që ndodhen në këtë sektor u përkasin pesë celularët e gjetur.
Sipas gazetares Anila Hoxha, aparatet i janë përcjellë SPAK-ut përmes BKH-së, për t’iu nënshtruar këqyrjes në laboratorin e ekspertizës së posaçme.
Ekspertiza pritet të ndihmojë në përcaktimin e përdoruesve të pajisjeve, si dhe në zbardhjen e rrethanave se si celularët kanë përfunduar brenda ambienteve të burgut. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse pajisjet janë përdorur dhe nga kush.
Sakaq kujtojmë se më herët, autoritetet kanë sekuestruar dhe dërguar në SPAK edhe telefonin e Laert Haxhiut. Ndërsa javën e kaluar, një telefon është gjetur në burgun e Peqinit dhe gjithashtu është dërguar në SPAK./ad
