Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e kaluara, Lisandër Hoxha, deklaroi në studion e “News 24” se skandali i lidhur me dosjen AKSHI do të hetohet deri në fund dhe se, sipas tij, procesi gëzon edhe mbështetje ndërkombëtare.
Ai u shpreh se kjo çështje, sipas tij, mund të ketë pasoja të rënda politike, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë aktuale.
Hoxha komentoi gjithashtu sekuestrimet e kryera nga Prokuroria ndaj ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ku janë përmendur prona me vlerë rreth 40 milionë euro, duke shtuar se shuma mund të jetë edhe më e madhe.
“Lajm i mirë, vetëm kaq ka zbuluar, mund të jenë shumë e më shumë prona të tjera. Sepse siç e kemi theksuar edhe më parë si opozitë, ky është kopshti privat i Edi Ramës. Sepse çdokush që mund të hynte për një pronë publike rrëmbehej nga ky grup i strukturuar kriminal, bashkë me oficer të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm në këtë sektor”, tha ai.
Sipas Hoxhës, hetimi do të vijojë deri në fund, pasi ekziston edhe presion ndërkombëtar për zbardhjen e çështjes.
“Besoj se kësaj çështjeje do i shkohet deri në fund, fal edhe presionit të ndërkombëtarëve, për ta çuar këtë dosje deri në fund, e cila natyrisht do marrë më vete edhe kryeministrin Edi Rama, si dhe qeverinë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë”, u shpreh ai.
