Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, ka vendosur të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga kryesuesja Albana Shtylla, relatore Rezarta Schuetz, dhe anëtarët Mimoza Tasi, Natasha Mulai dhe Sokol Como.
Arben Agovi ishte konfirmuar në detyrë më 13 dhjetor 2023, por Komisionerja Publike, Irena Nino, e kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë të vetingut, duke argumentuar se subjekti nuk përmbushte nivelin e besueshmërisë për shkak të problemeve të konstatuara në kriterin profesional dhe në vlerësimin tërsor të çështjes.
Njoftimi i plotë:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 6/2024, datë 14.02.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Agovi.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Arben Agovi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. m.p.
