Komisioni i Prokurimit Publik ka kthyer për rivlerësim tenderin me fond limit rreth 2.64 milionë euro pa TVSH për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë për pacientët e hospitalizuar në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, duke urdhëruar kualifikimin e njërit prej operatorëve që e kishin ankimuar.
Me vendimin nr. 1090/2026, të datës 1 shtator, KPP pranoi ankesën e Abi’s, por jo atë të kompanisë italiane Hospital Service SRL dhe kërkoi që autoriteti kontraktor, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, të kryejë rivlerësimin e procedurës sipas konstatimeve të Komisionit
Procedura ka një fond limit prej 251.26 milionë lekësh pa TVSH, ose 2.64 milionë euro, sipas kursit zyrtar të këmbimit prej 95.18 lekësh për euro të datës 9 qershor. Tenderi u publikua më 10 qershor dhe faza e parë, ajo e shprehjes së interesit, u zhvillua më 17 korrik.
Në vlerësimin fillestar, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave skualifikoi si Abi’s ashtu edhe Hospital Service. Rezultati iu komunikua operatorëve më 22 korrik, ndërsa pesë ditë më vonë, më 27 korrik, autoriteti kontraktor publikoi njoftimin për anulimin e procedurës. Abi’s paraqiti ankesën në KPP më 30 korrik, ndërsa Hospital Service e bëri këtë një ditë më vonë. Operatori i Blerjeve të Përqendruara i kishte rrëzuar të dyja ankesat me vendime të datës 7 gusht.
Skualifikimi i Abi’s lidhej me kriterin teknik që kërkonte një certifikatë specifike për sistemin e kontrollit të biokontaminimit, ose një certifikatë ekuivalente apo të barasvlershme. Kompania kishte paraqitur një të tillë me vlefshmëri deri më 17 gusht 2028.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e kishte skualifikuar Abi’s pasi, pas verifikimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit.
KPP arriti në një përfundim tjetër. Sipas Komisionit, dokumentet e tenderit nuk kishin përcaktuar që certifikata e kërkuar duhej të ishte lëshuar nga një organ i akredituar posaçërisht për këtë standard. Kriteri kërkonte që certifikata të përfshinte objektin e prokurimit, të ishte e vlefshme dhe të ishte sipas standardit ose ekuivalent.
Në vendim, KPP thotë se arsyeja e skualifikimit të Abi’s ishte mbështetur në një kërkesë që nuk ishte parashikuar në kriteret e tenderit dhe se vlerësimi i operatorëve duhet të kryhet vetëm mbi kërkesat e përcaktuara në dokumentet e procedurës. Në përfundim, Komisioni vlerësoi se Abi’s e përmbushte kriterin teknik të kontestuar. KPP mori një qëndrim të kundërt për Hospital Service. Kompania italiane kishte ngarkuar në sistem një certifikatë UNI EN 14065:2016 që kishte skaduar më 14 shkurt 2026, rreth pesë muaj përpara zhvillimit të fazës së parë të procedurës më 17 korrik.
Hospital Service argumentoi se kishte ngarkuar gabimisht versionin e vjetër të certifikatës dhe se dispononte një certifikatë pasardhëse, të lëshuar më 9 shkurt 2026 dhe të vlefshme deri më 13 shkurt 2029. KPP, megjithatë, vlerësoi se operatori ekonomik kishte përgjegjësinë të paraqiste në Sistemin e Prokurimeve Elektronike dokumentacionin që provonte përmbushjen e kritereve dhe se vlerësimi duhej të mbështetej në dokumentet e dorëzuara në sistem.
Komisioni tha gjithashtu se autoriteti kontraktor nuk duhet të mbështetet te verifikimet online në vend të dokumentacionit të paraqitur në SPE./monitor-ad
