Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të mërkurën se Rusia është e hapur për një sërë projektesh ekonomike me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni nuk e lidh më normalizimin e marrëdhënieve tregtare me zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
Sipas Peskovit, ekzistojnë shumë mundësi për investime të përbashkëta dhe bashkëpunim ekonomik që mund të jenë të dobishme si për kompanitë ruse ashtu edhe për ato amerikane. Ai shtoi se sapo SHBA të jetë e gatshme të mos e kushtëzojë tregtinë me procesin e paqes në Ukrainë, ose pasi të arrihet një marrëveshje, mund të hapet rruga për projekte konkrete ekonomike.
Megjithatë, Kremlini përsëriti qëndrimin e tij se një armëpushim dhe nisja e negociatave mund të ndodhin vetëm nëse Ukraina tërheq forcat e saj nga rajoni i Donbasit dhe nga territoret që Rusia i konsideron si të vetat. Kievi e ka refuzuar vazhdimisht këtë kërkesë.
Në një tjetër deklaratë, Peskov tha se komunikimi mes Moskës dhe Uashingtonit vazhdon përmes kanaleve ekzistuese dhe se kontaktet janë të rregullta. Sipas tij, SHBA po luan edhe rolin e ndërmjetësit në shkëmbimin e informacionit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Deklaratat vijnë në një kohë kur në Moskë, sipas pamjeve të publikuara, shihet Kremlini dhe atmosfera e kryeqytetit rus, ndërsa tensionet mes palëve mbeten të larta për shkak të luftës në Ukrainë./mxh
