Kremlini ka ulur pritshmëritë për përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë, pas vizitës në Moskë të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se bisedimet mes shërbimeve të inteligjencës të dy vendeve, zhvillohen edhe në periudhat më të vështira.
Ai i cilësoi këto kontakte si një proces pozitiv, por theksoi se është ende herët të thuhet nëse vizita do të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat ndodhen në një nga krizat më të thella.
Kremlini konfirmoi se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë, për të zhvilluar bisedime me zyrtarë të inteligjencës ruse.
Megjithatë, ai nuk është takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Peskov nuk dha detaje për përmbajtjen e bisedimeve.
Kremlini tha gjithashtu se nuk janë planifikuar takime me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Vizita u mbajt e fshehtë
Vizita e Ratcliffe në Moskë u mbajt e fshehtë. Një ditë më parë, Peskov tha se nuk kishte dijeni për mbërritjen e tij, edhe pse një avion ushtarak amerikan ishte ulur në Moskë.
Pas publikimit të pamjeve të avionit në rrjetet sociale, komentues rusë e vunë në lojë deklaratën e Peskov, duke pyetur se si një avion që transportonte drejtuesin e CIA-s, mund të mbërrinte në kryeqytetin rus pa dijeninë e Kremlinit.
Kjo besohet të ketë qenë vizita e parë e Ratcliffe në Moskë, që prej marrjes së drejtimit të CIA-s.
Ish-drejtori i CIA-s, William Burns vizitoi Rusinë në vitin 2021, me kërkesë të presidentit të atëhershëm amerikan Joe Biden dhe u takua me Putinin, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit lidhur me Ukrainën.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Avioni ushtarak amerikan, u largua nga Moska dje në mbrëmje dhe fluturoi drejt Rigës, sipas medieve shtetërore ruse.
Media amerikane raportoi se Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit të pezullonte përkohësisht sulmet./mxh
