Last Updated on 27/12/2024 by adminfjala
Osamu Suzuki, ish-drejtori i Suzuki Motor Corporation, ndërroi jetë në ditën e Krishtlindjeve, në moshën 94-vjeçare. Njoftimi për vdekjen e tij u bë të premten, më 27 dhjetor, pas një funerali privat.
Ai ishte një figurë kyçe e industrisë globale të automobilave dhe motoçikletave, duke udhëhequr Suzuki Motor për më shumë se katër dekada, duke e bërë një nga markat më të njohura të makinave dhe motoçikletave.
Suzuki u bë president i kompanisë në vitin 1978 dhe vazhdoi të udhëhiqte Suzuki Motor Corporation për shumë vite.
Ai u largua nga pozita e CEO në vitin 2016, pas një skandali që përfshinte parregullsi në testet për konsumin dhe emetimet e automjeteve të markës.
Megjithatë, ai mbeti një nga drejtorët e kompanisë deri në largimin e tij në vitin 2021. Në Japoni, Suzuki njihet si një nga figurat themeluese të industrisë së automobilave dhe si një lider që ka kontribuar në zhvillimin e industrisë kombëtare./K.B