Last Updated on 12/04/2026 by EL
Nga Amos Chapple, REL
Arild Syvertsen është një nga shumë marinarët e pensionuar që po përjetojnë sërish kujtime traumatike nga Ngushtica e Hormuzit, në mes të krizës aktuale në këtë rrugë ujore.
“Ne po përjetojmë rikthimin e [Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik] gjatë kësaj lufte”, tha ai për Radion Evropa e Lirë nga shtëpia e tij në Norvegji. Syversten tha se “marinarë që ishin atje në vitet ‘80 po kalojnë një periudhë të vështirë sepse të gjitha kujtimet po rikthehen”.
Syversten ka drejtuar anije përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë kulmit të luftës të anijeve cisternë, konflikt i viteve 1981-1988 që i ngjason krizës së sotme në Gjirin Persik.
Lufta e cisternave ishte një degëzim i luftës Iran-Irak, që nisi më 1980 me pushtimin e Iranit nga Iraku. Konflikti u përhap shpejt në ujërat e Gjirit Persik, teksa Iraku, e më pas edhe Irani, shënjestruan objekte të naftës dhe transportin detar të palës tjetër.
Nga mesi i viteve ‘80, Iraku, duke përdorur aeroplanë të marrë nga Franca dhe raketa kundër anijeve, sulmoi anije neutrale që transportonin naftë iraniane, ndërsa Irani përdori fregata detare dhe skafe të shpejta për të sulmuar anijet cisternë të naftës të vendeve të treta që përdornin portet e Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Të dy këto vende arabe e kishin mbështetur Irakun në luftë.
Qindra anije u sulmuan gjatë konfliktit detar dhe më shumë se 100 tregtarë detarë u vranë.
Pavarësisht rreziqeve, marinarët u bindën që të shërbenin në cisternat që kalonin nëpër Gjirin Persik, pjesërisht për shkak të pagesave shtesë për rrezikun, të cilat në disa raste ua dyfishonin pagën për çdo ditë që kalonin nëpër ujëra të rrezikshme. Syvertsen tha se edhe anëtarët më të vjetër të ekuipazhit ndjenin një detyrim për të mbajtur në lëvizje furnizimet energjetike përmes kësaj rruge jetike ujore.
“Ne donim të bënim detyrën tonë, sepse pronarët e anijeve na thoshin se duhej ta mbanim të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe të transportonim energjinë, përndryshe ekonomia e gjithë botës do të shembej”, u shpreh ai./et
