Kosova sot u shty drejt zgjedhjeve të reja, jo sepse nuk kishte kandidatë, jo sepse nuk kishte vullnet institucional, por sepse dikush punoi me metoda të njohura për ta prodhuar këtë krizë. Dështimi i formimit të Qeverisë nuk është aritmetikë parlamentare; është rezultat i një bllokade të ndërtuar, të orkestruar dhe të shtyrë nga interesa që shkojnë shumë përtej debatit të brendshëm kosovar.
Kjo nuk është kriza e parë politike e Kosovës — por është kriza e parë kaq e qartë, ku aktorët që punojnë kundër stabilitetit të vendit u shfaqën në një rresht të vetëm. Dhe rreshtimi i sotëm tregon shumë: kush dëshiron stabilitet për Kosovën dhe kush përfiton nga destabilizimi i saj.
Opozita e rrëzoi edhe Konjufcën – dhe me këtë rrëzoi alibinë e vet
Glauk Konjufca ishte kandidati më i moderuar i mundshëm:
– me raporte komunikimi me partitë e pasluftës,
– i pranueshëm për shumë figura që kanë dominuar skenën politike gjatë dy dekadave të fundit,
– me profil më pak konfliktual sesa Kurti.
Nëse opozita do të kishte realisht interes për stabilitet, Konjufca do të ishte zgjedhja më e lehtë. Por opozita e refuzoi. Dhe refuzimi i saj e çon debatin nga politika e ditës drejt pyetjes së vërtetë.
Kush po e dirigjon krizën?
Lista Serbe dhe opozita shqiptare – në një votë të përbashkët
Fakti që Lista Serbe voton në të njëjtin drejtim me opozitën shqiptare është tregues i pamohueshëm i natyrës së krizës. Kjo nuk është as rastësi, as paralelizëm politik. Është përputhje interesi.
Serbia ka vite që punon ta paraqesë Kosovën si shtet jostabil, të papërgatitur për vetëqeverisje. Mosformimi i Qeverisë dhe bllokimi i buxhetit i shërbejnë pikërisht këtij synimi.
