Kriza e furnizimit me gjysmëpërçues nga Kina po kërcënon të godasë rëndë ekonominë gjermane, duke rritur rrezikun që vendi të bjerë për të tretin vit me radhë në recesion. Aktualisht, parashikimet zyrtare flasin për një rritje të lehtë të PBB-së prej rreth 0,2%, por një zgjatje e mungesës së mikroçipave mund të sjellë ndalimin e pjesshëm ose të plotë të prodhimit në industrinë automobilistike, shtyllën kryesore të ekonomisë gjermane.
Sipas analizave ekonomike, rritja mund të ngadalësohet deri në 0,5%, në varësi të kohëzgjatjes së krizës dhe ndikimit në zinxhirët e furnizimit. Efektet e mundshme në sektorë të tjerë si elektronika dhe makineritë, si dhe në konsumin e brendshëm, mund ta përkeqësojnë edhe më tej situatën.
Kompania Volkswagen ka nisur bisedime me furnizues alternativë pas ndërprerjes së furnizimeve nga Nexperia, kompani kineze që u shtetëzua nga qeveria holandeze pas përfshirjes në listën e sanksioneve amerikane. Vendimi i Holandës shkaktoi ndalimin e eksporteve të çipave drejt Gjermanisë, duke nxitur shqetësim për varësinë teknologjike nga Kina.
Qeveria e kancelarit Friedrich Merz po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian për të zhbllokuar furnizimet dhe për t’u përballur me kufizimet që Pekini po vendos mbi eksportin e “metaleve të rralla”, të cilat janë thelbësore për industrinë teknologjike dhe të mbrojtjes.
Mediat gjermane raportojnë se Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë kërkuar nga Komisioni Evropian të aktivizojë mekanizmat “anti-shtrëngues” ndaj Kinës, përmes tarifave dhe masave ndëshkuese.
Kriza ka përshkallëzuar edhe tensionet diplomatike. Ministri gjerman i Jashtëm Johann Wadephul anuloi një vizitë të planifikuar në Kinë, pasi nuk arriti të sigurojë takime në nivel më të lartë për të diskutuar mbi pengesat tregtare dhe luftën në Ukrainë.
Pekini, nga ana tjetër, ka bërë thirrje për “respekt të ndërsjellë” në marrëdhëniet dypalëshe. Vizita e planifikuar e kancelarit Merz në Kinë, që pritej të pasohej pas kësaj, mbetet për momentin pezull./ K.M
