Last Updated on 22/11/2026 by Klara
Të dhënat e publikuara nga platforma e gjurmimit detar MarineTraffic krijuan spekulime se një cisternë iraniane nafte, e quajtur “Khat-Shekan”, po lundronte në Ngushticën e Hormuzit, duke tentuar të shmangte bllokadën detare amerikane. Megjithatë, kompania TankerTrackers ka deklaruar se bëhet fjalë për një gjurmim të falsifikuar dhe se anija në fjalë nuk ekziston.
Sipas TankerTrackers, të gjitha të dhënat që shoqëronin sinjalin e transmetimit AIS ishin të pasakta dhe nuk kishte asnjë provë që të konfirmonte lëvizjen e anijes nga pamjet satelitore. Kompania theksoi se Irani e di se do të ishte tepër e rrezikshme të tentonte të nxirrte një cisternë gjigante nafte në kushtet aktuale, pasi disa anije të tilla janë goditur gjatë muajve të fundit.
Raportimet për lëvizjen e pretenduar të cisternës vijnë në një kohë kur imazhet satelitore dhe të dhënat e gjurmimit detar kanë treguar se më shumë se 14 cisterna nafte janë grumbulluar pranë ishullit Kharg, një nga terminalet kryesore të eksportit të naftës iraniane.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të premten se bllokada detare amerikane duhet të thyhet. “Po bëjmë çdo përpjekje për të eksportuar naftë dhe për të zhvilluar negociata, ndërsa bllokada duhet të thyhet”, u shpreh ai.
Ushtria amerikane njoftoi se të shtunën u shënuan 130 ditë radhazi të bllokadës detare ndaj Iranit, e cila, sipas Uashingtonit, po pengon Gardën Revolucionare Islamike të eksportojë naftë bruto me vlerë miliarda dollarë.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar bllokadën, që synon kufizimin e lundrimit drejt dhe nga portet iraniane në ujërat përreth Ngushticës së Hormuzit, si një “mur çeliku të padepërtueshëm”.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës dhe gazit, si dhe një pikë kyçe e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit që prej shpërthimit të luftës në Iran në fund të shkurtit. Në kushte normale, përmes kësaj ngushtice kalon rreth 25 për qind e tregtisë botërore të naftës me transport detar./k.m
