Last Updated on 14/10/2025 by Leonard
14 Tetor 1962 – 13 ditët që përcaktuan fatet e njerëzimit
Përgatiti: Leonard Veizi
Mund të ketë qenë thjesht një ditë vjeshte, por 14 tetori i vitit 1962 do të shkruhej në histori si dita kur njerëzimi u ndodh ballë për ballë me vdekjen e vet. Në heshtjen e tensioneve të Luftës së Ftohtë, një avion zbulimi amerikan U-2, duke fluturuar mbi qiellin e Karaibeve, zbuloi imazhet që do ta ngrinin botën në alarm të kuq: instalime raketore sovjetike në ndërtim e sipër në Kubë, vetëm 150 kilometra larg brigjeve të SHBA-së.
Ky zbulim i fshehtë nuk ishte thjesht një lëvizje shahu politike; ishte fillimi zyrtar i Krizës së Raketave në Kubë, përballja më e rrezikshme ku bota për 13 ditë të tmerrshme qëndroi në prag të një lufte bërthamore të pashmangshme.
Raketat e Hrushovit
Motivi ishte strategjik dhe i thellë. Pas ardhjes së Fidel Kastros në pushtet në vitin 1959, Kuba u bë aleati kyç i Bashkimit Sovjetik në hemisferën perëndimore. Udhëheqësi sovjetik, Nikita Hrushov, pa një mundësi gjeopolitike për të barazpeshuar raketat bërthamore amerikane të vendosura në Turqi, pranë kufijve sovjetikë.
Në fshehtësi të plotë, Moska nisi instalimin e raketave balistike me rreze të mesme veprimi në Kubë, të afta për të goditur qytetet kryesore amerikane brenda pak minutash. Zbulimi i tyre nga amerikanët i dha Luftës së Ftohtë një dimension të ri: nga një luftë nervash, ajo u kthye në një numërim mbrapsht drejt katastrofës.
Ankthi global
Reagimi i Presidentit Xhon F. Kenedi ishte i kujdesshëm, por i vendosur. Më 22 tetor 1962, ai iu drejtua kombit. Me zë të ngarkuar me peshën e historisë, ai denoncoi Bashkimin Sovjetik dhe shpalli një “karantinë detare” (bllokadë) rreth Kubës për të ndaluar të gjitha dërgesat ushtarake. Kenedi paralajmëroi se çdo sulm nga Kuba do të konsiderohej një sulm i drejtpërdrejtë nga BRSS, duke kërkuar një përgjigje të plotë.
Anijet luftarake amerikane dhe sovjetike lundruan drejt njëra-tjetrës në ujërat e Karaibeve. Në çdo moment, një llogaritje e gabuar, një urdhër i nxituar, apo një gabim teknik mund të shkaktonte shpërthimin e parë bërthamor. Për 13 ditë dramatike, bota u bashkua në ankth. Qytetarët kudo nisën të ndërtonin strehime dhe të mblidhnin furnizime, ndërsa fati i tyre varej nga vendimet e dy burrave në Shtëpinë e Bardhë dhe Kremlinin.
Linja e kompromisit
Pavarësisht rrezikut të menjëhershëm, shpëtimi erdhi nga diplomacia. Përmes letrave të fshehta dhe kanaleve diplomatike, Kenedi dhe Hrushovi arritën në një marrëveshje kompromisi që shmangiu fundin:
Bashkimi Sovjetik u zotua të çmontonte dhe tërhiqte raketat nga Kuba nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
SHBA-ja premtoi publikisht se nuk do ta pushtonte Kubën.
SHBA-ja pranoi gjithashtu (në mënyrë jo-publike) të tërhiqte raketat e saj bërthamore nga Turqia pas disa muajsh.
Më 28 tetor, me njoftimin e Hrushovit për tërheqjen e raketave, tensioni u shpërbë, duke e shpëtuar njerëzimin nga katastrofa.
“Telefoni i Kuq”
Kriza Kubane e Raketave shërbeu si një kambanë alarmi për të dyja superfuqitë. Ajo nxori në pah rrezikun e madh të mungesës së komunikimit në epokën bërthamore. Mësimi ishte i qartë: nevojitej dialog i menjëhershëm.
Si pasojë e kësaj krize, u vendos e famshmja “Linja e Drejtpërdrejtë” ose “Telefoni i Kuq”, një sistem i sigurt telekomunikimi mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit. Qëllimi ishte parandalimi i keqkuptimeve që mund të çonin në Luftën III Botërore. Kriza gjithashtu nxiti negociatat për kontrollin e armëve bërthamore, duke çuar në Traktatin për Ndalimin e Provave Bërthamore më 1963.
Kriza e vitit 1962 mbetet një kujtesë se sa lehtë mund të rrëshqasë bota drejt shkatërrimit kur diplomacia dështon, por edhe një dëshmi se vendosmëria, dialogu dhe kompromisi janë mjetet e vetme për të mbijetuar.
Pasqyrimi në art
Ky moment i mbushur me dramë njerëzore dhe politike ka frymëzuar krijimtari të gjerë:
Kujtimet e Familjes Kenedi: Libri “Thirteen Days: A Memoir of the Cuban Missile Crisis” nga Robert F. Kenedi, vëllai i Presidentit, mbetet një dëshmi autentike e ankthit brenda qeverisë.
Filmi i njohur “Thirteen Days”, me aktorin e mirënjohur Kevin Kostner prodhim i vitit 2000, pasqyron tensionin dramatik të atyre 13 ditëve brenda qarqeve të vendimmarrjes.
