Shkruan: Eraldo Xhelili
“Televizioni është vendi ku shikon njerëz që s’do t’i ftoje kurrë në shtëpi, dhe dëgjon gjëra që vetë s’do t’i thoje kurrë.”
— Groucho Marx
Dikur televizioni ndriçonte mbrëmjet me zëra që ngjallnin besim, kulturë dhe kuriozitet. Ai ishte arena e artit skenik, e mendimit dhe e shijes kolektive. Sot, megjithëse dritat janë më të forta, përmbajtja është më e zbehtë se kurrë. Ekrani po rrëshqet drejt një varfërie të tejskajshme estetike, që nuk është më rastësi, por sistem.
Spektaklet e të dielave janë shndërruar në kopje të lodhura të vetvetes, ndërsa formatet e dikurshme të argëtimit janë zëvendësuar me zhurmë, improvizim dhe një humor që nuk ngjall më as të qeshura, as reflektim. Kriza e krijimtarisë nuk është më çështje buxheti apo kohe; është krizë e ideve, e kulturës dhe e guximit për të bërë diçka që nuk ndjek formulën e lehtë të spektaklit pa shpirt.
Dhe kur varietetet varfërohen, nuk varfërohet vetëm ekrani – varfërohet edhe publiku që e shikon.
Emisionet e sotme janë shpesh të varfra në përmbajtje, duke filluar nga niveli i moderatorëve e deri te të ftuarit “gjithollogë” që zënë kolltukun në studio për të nxjerrë nga goja fjalë pa peshë. Në shumë raste, prezantueset zgjidhen për pamjen dhe jo për përgatitjen: vajza të bukura, por me një shqipe të çalë, pa formim profesional, të kthyer në kukulla dekorative, shpesh të hiper-seksualizuara për të mbushur boshllëkun e ideve. Televizioni po e humbet misionin e vet: nga hapësirë e kulturës dhe debatit, po kthehet në një markatë thashethemesh, në një treg zhurmash, ku njerëzit bosh marrin më shumë hapësirë se ata që kanë diçka për të thënë. Dikur televizioni konfiguronte modele të mira, emetonte figura që ishin për t’u parë, dëgjuar dhe ndjekur, por sot mëton veçse të prodhojë famë, jo vlerë. Ekranet janë mbushur me figurina që s’kanë as përvojë, as ide, veç dëshirën për t’u parë dhe imponuar. Dhe kur shikuesi mësohet me zbrazëtinë, zbrazëtia bëhet standard. Publiku nuk konsumon më kulturë, por shpejtësi; nuk kërkon kuptim, por ndjesi të menjëhershme.
“Televizioni ka fituar fuqinë e të imponuarit si në mënyrën e të parit, ashtu edhe në mënyrën e të menduarit për botën.”
— Pierre Bourdieu, Sur la télévision (1996)/kb
