Përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit në rajonin e Gjirit po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një krizë ushtarake në një problem të madh ekonomik global, sipas BBC.
Rritja e çmimit të naftës në rreth 105 dollarë për fuçi, shtrenjtimi i gazit natyror dhe rritja e kostove të huamarrjes tregojnë se tregjet po përgatiten për një periudhë të zgjatur pasigurie.
Në qendër të shqetësimeve është Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Kufizimi i kalimit të anijeve përmes saj ka vështirësuar furnizimin e tregjeve globale me naftë dhe gaz nga Gjiri.
Kjo krijon një situatë ku problemi nuk është domosdoshmërisht mungesa fizike e naftës në burim, por vështirësia për ta transportuar atë drejt konsumatorëve.
Tregjet e energjisë reagojnë shumë shpejt ndaj një rreziku të tillë. “Brent”, i cili ishte rreth 66 dollarë në shkurt, u rrit deri pranë 120 dollarëve në fund të marsit, përpara se të binte në rreth 72 dollarë gjatë korrikut.
Tani çmimi është rikthyer mbi 100 dollarë.
Kjo lëvizje tregon se tregu po i vendos përsëri një çmim të lartë rrezikut gjeopolitik.
Shqetësimi nuk kufizohet vetëm te nafta.
Edhe gazi natyror është shtrenjtuar ndjeshëm, ndërsa rezervat evropiane janë më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
Evropa përballet kështu me nevojën për të mbushur rezervat përpara dimrit pikërisht në një moment kur furnizimet globale janë bërë më të pasigurta.
Në Britaninë e Madhe, çmimi i gazit në tregjet me shumicë ka kaluar 200 peni nga çmimi aktual, niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2022.
Kjo sjell rrezikun e një vale të re inflacioniste.
Energjia është një input bazë për pothuajse të gjithë ekonominë; transportin, prodhimin industrial, bujqësinë dhe shpërndarjen e mallrave.
Kur nafta dhe gazi shtrenjtohen, kompanitë përballen me kosto më të larta dhe një pjesë e tyre kalon te konsumatori përmes çmimeve më të larta.
Por ekziston edhe një efekt i dytë, më kompleks.
Nëse inflacioni rritet për shkak të energjisë, bankat qendrore mund të bëhen më të kujdesshme në uljen e normave të interesit.
Kjo mund të zgjasë periudhën e normave të larta dhe të rrisë kostot e kredive për familjet dhe bizneset.
Tregu i obligacioneve britanike po jep tashmë një sinjal të rëndësishëm.
Niveli i obligacioneve prej 10 vitesh maturimi është rritur, ndërsa për maturimet 20 dhe 30-vjeçare, ato kanë prekur nivele të papara që nga viti 1998.
Kjo nënkupton se investitorët kërkojnë kthime më të larta për të kompensuar rrezikun e inflacionit dhe pasigurisë.
Nëse kjo situatë vazhdon, pasoja mund të shihen edhe në tregun e banesave dhe kreditimit.
Normat më të larta të interesit e bëjnë më të shtrenjtë financimin e shtëpive, investimeve dhe aktiviteteve të biznesit.
Kështu, një krizë që nis në tregun e energjisë mund të transmetohet gradualisht në ekonominë reale.
Një tjetër element shqetësues është Deti i Kuq.
Raportimet për marrjen e portit të Mocha-s në Jemen nga forcat Houthi të lidhura me Iranin shtojnë frikën për ndërprerje të mëtejshme të transportit detar.
Nëse njëkohësisht rrezikohen rrugët e Hormuzit dhe Detit të Kuq, kostoja e transportit ndërkombëtar mund të rritet ndjeshëm dhe zinxhirët globalë të furnizimit të përballen me presion të ri.
Për ekonomitë evropiane, kjo është veçanërisht problematike sepse një goditje energjetike mund të ndodhë në një moment kur familjet dhe bizneset ende janë të ndjeshme ndaj kostove të larta të jetesës dhe financimit.
Megjithatë, çmimi prej 105 dollarësh nuk duhet interpretuar automatikisht si fillimi i një krize të pakontrollueshme.
Tregjet e naftës reagojnë jo vetëm ndaj furnizimit real, por edhe ndaj pritshmërive.
Nëse arrihet një marrëveshje politike, nëse luftimet ulen ose nëse Hormuzi rihapet, një pjesë e konsiderueshme e primit të rrezikut mund të zhduket dhe çmimi mund të bjerë me shpejtësi.
Rreziku më i madh është kohëzgjatja.
Një naftë mbi 100 dollarë për disa ditë është një problem i menaxhueshëm.
Një naftë mbi 100–120 dollarë për shumë javë ose muaj do të ishte një goditje shumë më e fortë për inflacionin dhe rritjen ekonomike.
Prandaj, treguesit që duhen ndjekur tani nuk janë vetëm çmimi i naftës.
Vendimtare do të jenë statusi i Ngushticës së Hormuzit, rrjedha e transportit në Detin e Kuq, niveli i rezervave evropiane të gazit dhe sinjalet e bankave qendrore për normat e interesit.
Në thelb, bota përballet me rrezikun e një cikli të vështirë ekonomik; konflikt më i gjatë, energji më e shtrenjtë, inflacion më i lartë, norma interesi më të larta,
kredi më të shtrenjta, rritje ekonomike më e dobët.
Nëse konflikti zgjidhet shpejt, presioni mund të zbutet.
Por nëse ndërprerjet e furnizimit dhe transportit vazhdojnë, kriza e Lindjes së Mesme mund të shndërrohet në një nga goditjet më serioze energjetike dhe inflacioniste të viteve të fundit. /mxh
