Last Updated on 22/07/2026 by EL
Prishja e armëpushimit SHBA-Iran ka rikthyer rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa efektet kanë nisur të ndihen edhe në tregun vendas. Në pikat e karburanteve në Shqipëri, një litër naftë po shitet deri në 206 lekë, nga rreth 175 lekë që ishte çmimi rreth 20 ditë më parë.
Nafta ka shënuar rritje të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, pasi tensionet e reja në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet për furnizimin global. Çmimi i naftës Brent është afruar pranë 95 dollarëve për fuçi, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit është rritur me rreth 4%. Krahasuar me fillimin e muajit korrik, çmimi është rreth 20% më i lartë.
Edhe pse kontratat në tregjet ndërkombëtare lidhen me furnizime për muajt e ardhshëm, në Shqipëri ndryshimet janë reflektuar më shpejt. Një vëzhgim në pikat e karburanteve në Tiranë tregon se një litër naftë shitet deri në 206 lekë, rreth 30 lekë më shumë se çmimi i fundit tavan prej 176 lekësh, i vendosur nga Bordi i Transparencës përpara shkrirjes së këtij mekanizmi nga qeveria.
Rritje është regjistruar edhe te benzina, e cila nga 166 lekë për litër që ishte çmimi i fundit i përcaktuar nga bordi, tashmë tregtohet rreth 189 lekë.
Ndryshe nga më herët, çmimet e karburanteve nuk përcaktohen më nga një mekanizëm administrativ, por nga operatorët e tregut, bazuar në kostot e importit dhe luhatjet në bursat ndërkombëtare.
Nëse tensionet gjeopolitike vijojnë dhe çmimi i naftës ruan tendencën rritëse, ndikimi mund të shtrihet përtej pikave të karburantit. Kostot më të larta të transportit mund të reflektohen edhe në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare dhe aktivitetin e bizneseve./ET
