Last Updated on 12/11/2025 by Klara
Në Portin e Sarandës, një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turizmin në jug të Shqipërisë, edhe gjatë muajit tetor ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.
Drejtori i Portit, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se “gjatë muajit tetor 2025, në Portin e Sarandës u regjistruan gjithsej 54.480 udhëtarë, duke shënuar një rritje prej 15,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur numri i pasagjerëve ishte 47.254″.
Malaj bëri të ditur se “në totalin 10-mujor të këtij viti, përmes portit kanë lëvizur 740.878 pasagjerë, kundrejt 605.134 të një viti më parë, duke reflektuar një rritje të ndjeshme prej 22,4%”.
“Këto shifra tregojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje të lëvizjes së pasagjerëve dhe rritje të interesit për destinacionin turistik të Sarandës”, theksoi Malaj.
Muaji që ka shënuar fluks më të lartë udhëtarësh në Portin e Sarandës është gushti, ku kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 200 mijë udhëtarë. Por edhe muajt e vjeshtës shtatori dhe tetori kanë shënuar numër të lartë pasagjerësh që udhëtojnë nga Saranda drejt Korfuzit dhe anasjelltas.
Malaj tha se në port vijon ende ardhja e kroçerave turistike.
“Ditën e djeshme në port ka mbërritur kroçera “Nieuw Statendam” e kompanisë prestigjioze Holland America Line, duke sjellë 2592 pasagjerë të kombësive të ndryshme. Mbërritja e kësaj kroçere përbën një tjetër dëshmi të interesit në rritje të turistëve ndërkombëtarë për Sarandën, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit detar dhe ekonomik lokal”, tha Malaj.
Porti i Sarandës i shërben jo vetëm qytetit, por gjithë Rivierës, duke qenë një pikë kyçe lidhëse për vizitorët vendas dhe të huaj./ K.M
Visited 4 times, 4 visit(s) today