Last Updated on 15/10/2026 by EL
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka dënuar dhunën gjatë protestës së sotme në qytetin bregdetar, duke bërë thirrje për mbrojtjen e të rinjve dhe pronës publike e private.
Ajo dënoi sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe forcave zjarrfikëse, si dhe u bëri apel prindërve dhe mësuesve të kujdesen për sigurinë e fëmijëve.
“Durrësi është i të gjithëve”, theksoi kryebashkiakja, duke kërkuar që dialogu të zëvendësojë dhunën.
Reagimi i plotë
Të nderuar qytetarë, prindër, mësues, nxënës dhe studentë.
E drejta për të protestuar është e drejtë themelore dhe zëri i çdo qytetari, veçanërisht i të rinjve, studentëve, meriton dhe duhet të dëgjohet. Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhje.
Si Kryetare e Bashkisë së Durrësit, por edhe si nënë, u bëj thirrje veçanërisht prindërve dhe mësuesve të kujdesen për sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve, duke i mbajtur larg çdo situate që mund të rrezikojë jetën dhe shëndetin e tyre.
Sot kemi parë se si nxënës të larguar nga bankat e shkollës kanë djegur, thyer, shkatërruar atë që është e të gjithëve. Sot janë sulmuar jo vetëm institucionet, prona publike e private, por dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës që janë ndodhur në vendin e tyre të punës.
Dënoj fuqimisht sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe forcave zjarrfikëse, të cilat kanë qenë duke përmbushur detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve.
Durrësi është shtëpia jonë e përbashkët, ashtu si Shqipëria është atdheu i të gjithëve. Kemi përgjegjësinë të mbrojmë jetën, qytetin, institucionet dhe njëri-tjetrin.
Të mbrojmë fëmijët tanë, qytetin tonë dhe të ardhmen tonë të përbashkët duke zgjedhur dialogun ne vend te dhunes. Durrësi është i të gjithëve. /ET
