Last Updated on 05/12/2025 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me hetimet ndaj Belinda Ballukut, duke theksuar se SPAK po vijon intensivisht procedurat hetimore dhe se ish-ministrja tashmë është e pandehur zyrtarisht. Përveç çështjes kryesore, brenda institucionit po shqyrtohen edhe disa procedura tenderuese ku po hetohet roli i saj.
Sipas Lalës, një element i rëndësishëm i hetimeve lidhet me komunikimet e sekuestruara nga celularët e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Këto prova janë kundërshtuar në gjykatë nga vetë Berberi, i cili kërkon të mos njihen si të vlefshme. Nga analiza e këtyre pajisjeve, janë hapur një numër i madh pistash të reja hetimore, ndërsa priten edhe të pandehur të tjerë. “Komunikimet tregojnë qartë se si tenderat ndër vite janë dhënë me preferenca. Dyshohet jo vetëm për dëm financiar me miliona euro, por edhe për probleme të theksuara në cilësinë e rrugëve,” u shpreh Lala.
Ajo foli gjithashtu për ndikimin e gjuhës së aktorëve politikë ndaj SPAK-ut, duke theksuar se çështja është ende në zhvillim dhe nuk mund të parashikohet rezultati final. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës së paraqitur për çështjen Balluku, e cila fillimisht ishte parashikuar të mbahej më 4 dhjetor.
