Ndërsa buldozerët kanë filluar shembjen e Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë për t’i hapur vend një salle të re madhështore balloje, Presidenti Donald Trump ka theksuar se projekti “nuk do t’i kushtojë asnjë qindarkë taksapaguesve amerikanë”.
Në vend të kësaj, financimi prej rreth 300 milionë dollarësh do të mbulohet nga dhurime private, shumë prej tyre nga korporata gjigante dhe donatorë të pasur që kanë lidhje të ngushta me administratën ose interesa të drejtpërdrejta ekonomike në politikat e qeverisë federale. Paratë po kalojnë përmes organizatës jofitimprurëse Trust for the National Mall, dhe dhurimet njihen nga tatimet si shpenzime.
Sipas dokumenteve të publikuara nga administrata, raportuar nga CNN, mes kontribuuesve gjenden emra të mëdhenj nga fusha e teknologjisë, energjisë, mbrojtjes dhe kriptomonedhave, duke përfshirë kompani si Google, Amazon, Apple, Meta, Microsoft, Lockheed Martin, si dhe miliarderë të njohur si Miriam Adelson, Stephen Schwarzman, Harold Hamm, dhe vëllezërit Winklevoss.
Kush janë donatorët kryesorë?
Familja Adelson – Filantropia miliardere Miriam Adelson, pronare e shumicës së aksioneve të ekipit të NBA-së Dallas Mavericks, ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të Trumpit që nga fushata e vitit 2016. Ajo dhe bashkëshorti i ndjerë, Sheldon Adelson, kanë dhuruar mbi 30 milionë dollarë për fushatat e Trump.
Google (Alphabet) – Gjiganti teknologjik ka kontribuar me 22 milionë dollarë “në emër të presidentit”, si pjesë e një marrëveshjeje ligjore që lidhet me bllokimin e Trump-it në YouTube në vitin 2021. Kompania ka përfituar kontrata federale me vlerë deri në 200 milionë dollarë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Amazon – Kompania e Jeff Bezos, dikur në konflikt me Trump-in, ka dhuruar mbi 1 milion dollarë për komitetin inaugurues të vitit 2025. Amazon Web Services ka përfituar mbi 500 milionë dollarë nga kontrata qeveritare në tre vitet e fundit.
Apple – CEO Tim Cook ka ruajtur marrëdhënie të afërta me presidentin, duke i dhuruar personalisht 1 milion dollarë dhe duke i ofruar një statuettë të personalizuar prej ari gjatë një takimi në Zyrën Ovale këtë verë.

Lockheed Martin – Kontraktori më i madh i Pentagonit, me mbi 40 miliardë dollarë në kontrata federale në vit, dha 1 milion dollarë për projektin, duke e quajtur sallën e re “një simbol të idealeve amerikane”./kb
